Deliallisi ka shpresa për Erzenin: Matematika na lejon, gati të mposhtim Tiranën
Erzeni luan sot ndeshjen e radhës kundër Tiranës si pritës orën 15:00 në “Elbasan Arena”. Kundërshtari duket më i qetë me 43 pikë të grumbulluara në mesin e tabelës, ndërsa shijakasit vuajnë duke u renditur të parafundit me 31 pikë.
Kujtojmë se në përballjet e tyre këtë sezon ata, Erzeni ka triumfuar në tri përballje, duke fituar dy e barazuar një. Trajneri Alfred Deliallisi, në një prononcim për “Panorama Sport” ka përshkruar situatën aktuale të skuadrës para ndeshjes me Tiranën. Duke filluar me analizën e formës së tyre, ai theksoi se nuk ka mungesa të rëndësishme për shkak të kartonëve ose dëmtimeve, gjë e cila ka përforcuar përgatitjen e tyre për ndeshjen. Po ashtu, Deliallisi shprehu bindjen se lojtarët e tij do të japin maksimumin në fushë për të arritur suksesin. Në anën tjetër, trajneri diskutoi pikat e forta të Tiranës dhe përgatitjen e tyre, duke u bazuar në analizën e lojës së kundërshtarëve. Gjithashtu, ai përsëriti besimin e tij se ekipi i tij do të mbetet në Kategorinë Superiore, duke nxitur mbështetjen e tifozëve në transfertën e tyre.
“Grupi është i plotë, dhe gatishmëria e gjithsecilit, ka ndikuar në stërvitjen javore duke u përgatitur mjaft mirë kundër tyre. Tirana është ekip që meriton respekt, sigurisht, por ne kemi marrë masat për të marrë rezultat pozitiv, duke parë ndeshjet që kryeqytetasit kanë realizuar, dhe dimë vërtet si të mbrojmë e ku do sulmojmë.
Përsa i përket qëndrimit, matematika na e lejon dhe do besojmë, deri në momentin e fundit. Tifozët janë suporti ynë më i madh, dhe dëshiroj që deri në fund të jenë aty, me ne”, deklaroi trajneri Deliallisi.
ERALD DERVISHI – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"