“Demat” nxehen për Laçin, Veselinoviç me vetëm një dyshim për formacionin
Partizani është në kulmin e përgatitjeve për ndeshjen e nesërme kundër Laçit në stadiumin e kurbinasve në orën 13:30. Skuadra e kuqe në ditët e fundit po nis të plotësohet në organikë pas largimeve të shumta që kishte në fillim të muajit.
Eleke është angazhuar vetëm me vrapime anës fushës, teksa Vujnoviç ka kryer seancën e parë. Mes fjalëve dhe lëvizjeve të merkatos, në skuadër puna vijon normalisht dhe me ritëm të lartë. Trajneri Veselinoviç ka përgatitur të gjitha detajet taktike për ndeshjen me Laçin, që është një rival mjaft i sikletshëm, sidomos në shtëpinë e vet.
Përveç Gjergji Kotes, që siç e kemi raportuar do të mungojë edhe për disa ditë, pjesa tjetër janë të gjithë të gatshëm. Formacioni pritet të jetë i njëjti që luajti kundër Dinamos, me dyshimin e vetëm të aktivizimit apo jo të Sembene, i cili ka pasur një problem të vogël fizik. Në rast se senegalezi nuk do të jetë në gjendje për të luajtur nga minuta e parë, pritet të startojë Domgjoni, i rikuperuar plotësisht nga dëmtimi muskulor që e ndali në këtë fillim viti.
Në mesfushë Shanaj pritet të fitojë sërish balotazhin me Mehmetin, ndërsa në ofensivë Podstrelov me shumë mundësi do të fitojë sërish besimin e Veselinoviç për një fanellë titullari.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"