Dëmtimet bëhen problem tek Apolonia, Maksuti dhe Bejzade mungojnë në start

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 21, 2024 | 14:10

Dëmtimet bëhen problem tek Apolonia, Maksuti dhe Bejzade mungojnë në start

Apolonia ka zbritur dje në fushë pas dy ditësh pushim, teksa është futur në javën anti-Vora, teksa do të luajë ndeshjen e parë të kampionatit këtë të shtunë në transfertë.

korabi apolonia

Fierakët kanë zhvilluar dje dy seanca, të parën në palestër dhe të dytën në aneksin e stadiumit “Loni Papuçiu”, aty ku trajneri Artan Mërgjyshi është përqendruar te taktika. Stafi teknik ka probleme serioze me dy lojtarë, të cilët janë të dëmtuar dhe do të mungojnë për disa javë, pikërisht Erald Maksuti dhe Abjel Bejzade. Për këtë të fundit është e konfirmuar se do t’i mungojë Apolonisë edhe një muaj, kështu që trajnerit Artan Mërgjyshi i duhet të vendosë për lojtarin që do ta zëvendësojë në formacion.

Një tjetër shqetësim i madh është Maksuti, i cili doli i dëmtuar nga fusha në miqësoren me Tiranën. Nuk ka ende një diagnozë për dëmtimin e tij, por gjasat janë që ai të mungojë disa javë për fierakët. Duke shtuar këtu edhe rikuperimin me vonesë të mesfushorëve Mikael Rakipaj dhe Jasin Umar Rajab, Apolonia e pret ndeshjen me Vorën me të paktën dy mungesa të rëndësishme, që kushtëzojnë jo pak zgjedhjet e stafit teknik. Gjithsesi, fierakët shpresojnë për një debutim pozitiv.

HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"