Dëmtimet trembin Dinamon, blutë me katër mungesa të sigurta drejt Korçës
Dinamo ka nisur dje javën anti-Skënderbe me shqetësimin e mungesave për këtë transfertë, ku synohet kthesa pas humbjes në derbin me Partizanin. Problemi kryesor për trajnerin Ilir Daja është prapavija, pasi lojtarëve të dëmtuar më parë u është shtuar edhe Naser Aliji, duke e çuar në 4 numrin e mungesave në këtë repart.
Muzek ka kryer një ndërhyrje kirurgjikale në Kroaci pas dëmtimit në gju, kurse Hoxha dhe Rufati kanë nisur vrapimet, por nuk mund të llogariten ende për ndeshjen e radhës, sepse nuk po stërviten me grupin.
Dëmtimi i Alijit është më i lehtë dhe ndoshta ish-lojtari i Kombëtares mund ta fitojë garën me kohën, edhe pse nuk pritet që stafi blu të rrezikojë. Për momentin janë të disponueshëm për qendrën e mbrojtjes vetëm kapiteni Bruno Dita dhe Antonio Miço.
BREGU – Tjetër mungesë e sigurt e Dinamos për ndeshjen e Korçës, por edhe për disa të tjera në vazhdim, është ajo e Dejvi Bregut. Sulmuesi theu një gisht në derbin me Partizanin ka kryer operacionin e nevojshëm në kryeqytet. Për rikuperimin e tij duhen të paktën 4 javë dhe kjo do të thotë se vlonjati do të kthehet në 2025-ën. Trajneri Daja ka disa alternativa për zëvendësuesin e tij, siç janë Vila, Karamba dhe Zhordi. Më shumë kreun e stolit kryeqytetas e shqetëson mbrojtja, pasi aty ka pak alternativa. Ndoshta Daja do të bëjë edhe ndonjë lëvizje lojtarësh për të pasur sa më shumë stabilitet në prapavijë.
FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"