Dëmtimi i Bukajo Sakës, Anglia dhe Arsenali në ankth për sulmuesin
Arsenali po pret me ankth lajmet për gjendjen fizike të Bukajo Sakës. Anësori duhej të zëvendësohej në minutën e 51-të në humbjen 2-1 të Anglisë me Greqinë në “Wembley” të enjten mbrëma.Sulmuesi i Arsenalit dukej në dhimbje, ndërsa u pa duke mbajtur pjesën e pasme të kofshës së djathtë. Siç raporton “The Evening Standard”, 23-vjeçari do t’i nënshtrohet një skaneri për të përcaktuar shkallën e dëmtimit.
Trajneri i përkohshëm i Anglisë, Li Karslej, u pyet për Sakën pas ndeshjes dhe tha: “Ai po vlerësohet. Në aksionin e golit të parë, mund të shihje se ai ndjeu diçka në këmbën e tij”. Karslej mund të ofrojë një përditësim të mëtejshëm për Sakën kur ai të mbajë një konferencë shtypi të shtunën, përpara ndeshjes së Anglisë kundër Finlandës të dielën. Saka mund të humbasë ndeshjen kundër Finlandës, por Arsenali është më i shqetësuar për disponueshmërinë e tij pas pushimit ndërkombëtar. Arsenali do të përballet me Bornmëthin më 19 tetor, përpara se të presë Shahtjor Donjeckun në Ligën e Kampioneve tre ditë më vonë. Mikel Arteta do të jetë veçanërisht i shqetësuar që të ketë Sakën në dispozicion për ndeshjen në shtëpi me Liverpulin më 27 tetor. Sulmuesi, i cili ka qenë kapiten i Arsenalit disa herë këtë sezon për shkak se Martin Odegard është i dëmtuar, ka shijuar një fillim jashtëzakonisht produktiv të sezonit.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"