Dëmtohen dy futbollistë, “boshatiset” mesfusha e Partizanit. Ja si pritet të rreshtohen të kuqtë kundër Bylisit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 9, 2024 | 9:05

Dëmtohen dy futbollistë, “boshatiset” mesfusha e Partizanit. Ja si pritet të rreshtohen të kuqtë kundër Bylisit

Partizani e ka Bylisin një nga rivalët e vet të preferuar, por në këtë transfertë shkon me telashe sa i përket mungesave apo dëmtimeve.

Partizani

Mesditën e djeshme të kuqtë kanë mbyllur përgatitjet për ndeshjen e sotme në orën 13:30 në stadiumin “Adush Muçaj” në Ballsh. Trajneri Veselinoviç ka “skalitur” rreshtimin final dhe ka dhënë direktivat e fundit në lidhje me mënyrën sesi të kuqtë do të përpiqen të ndëshkojnë ballshiotët dhe të kthehen te fitorja pas dy barazimeve radhazi kundër Tiranës dhe Egnatias. Kjo e fundit, me fitoren e djeshme kundër Skënderbeut i ka marrë provizorisht kreun të kuqve, të cilët edhe me barazim mund të kthehen në vendin e parë. Pas stërvitjes, skuadra ka udhëtuar drejt zonave pranë Ballshit, ku është grumbulluar në një nga hotelet atje.

DËMTIMET – Mungesa më “e rëndë” e të kuqve pritet të jetë në mesfushë, aty ku Arinaldo Rrapaj me shumë mundësi nuk do të jetë i pranishëm. “Panorama Sport” mëson nga burime pranë klubit se mesfushori ka pësuar një dëmtim në kavilje, që pritet ta privojë nga kjo ndeshje. Në ditët në vijim me siguri do të qartësohet edhe gjendja e tij dhe shanset për të luajtur në sfidat e mbetura të vitit 2024, që janë edhe të fundit për të me fanellën e kuqe para transferimit në Ukrainë te Kolos Kovalivka. Mungesa tjetër e sigurt para kësaj ndeshjeje është ajo e Gjergji Kotes. Ky i fundit në derbi pësoi një dëmtim në gishtin e madh të këmbës së djathtë, çka mësohet se është një frakturë. 20-vjeçari ka nisur menjëherë riaftësimin, por duhet thënë se nisur nga natyra e dëmtimit, Kote e ka mbyllur me futbollin sa i përket këtij viti kalendarik. I riu mungoi edhe kundër Egnatias.

MESFUSHA – Dy mungesa titullarësh në mesfushë, përveçse e fusin trajnerin Veselinoviç në dilema, bëjnë që edhe opsionet në pankinë të jenë thuajse zero. Taipi pritet të inkuadrohet titullar, teksa stoli nuk pritet të ketë asnjë mesfushor si alternativë. Me siguri stafit teknik gjatë lojës do t’i duhet të improvizojë me lojtarë jashtë pozicionit, siç ka ndodhur me krahët e mbrojtjes. Hadroj është një prej atyre që do të përshtateshin në këtë rol.

FORMACIONI – Rreshtimi pritet të jetë i ngjashëm me atë që luajti në ndeshjen e fundit kundër Egnatias. Mbrojtja nuk ndryshon me Hadrojn, Prekën, Sembene dhe Domgjonin, që në këto javë ka fituar besimin e stafit para Bytyçit dhe Buxhelajt për krahun e majtë. Në mesfushë pritet Taipi në vend të Rrapajt dhe Ismaili e Mehmeti. Në sulm Mba dhe Cara janë të padiskutueshëm, teksa Bintsuka, Keko dhe Zeka duhet të luftojnë sërish për një vend në 11-she.GHFGHDENIS LALA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"