Dëmtohet mesfushori i Vllaznisë, Brdariç: Më shqetëson situata e Krymit, ai do të mungojë gjatë
Miqësorja e fundjavës ka sjellë edhe një shqetësim për stafin teknik të Vllaznisë. Ardit Krymi ka lënë fushën i dëmtuar që në minutën e 13-të ndeshjes me Arsenal Tivat.Mesfushori titullar pësoi një tërheqje muskulore dhe e kishte të pamundur ta vazhdonte lojën. Madje, për të shoqëruar 28- vjeçarin të dilte jashtë vijave kufizuese duhej ndihma e stafit mjekësor, sepse shkodrani nuk mund ta prekte në tokë këmbën e majtë që i shkaktonte dhimbje.
Patjetër ky dëmtim shqetëson në radhët e kuqebluve, pasi ata kanë vuajtur shumë në këtë sezon nga ndalesa të tilla të futbollistëve. Nga informacionet e para “Panorama Sport” mëson se Krymi e ka mbyllur këtë vit. Koha e rikuperimit të tij pritet të zgjatë 3-4 javë, duke e bërë kështu të pamundur pjesëmarrjen e tij në ndeshjet e fundit të 2024-ës.
BRDARIÇ – Pas miqësores me Arsenal Tivat ka folur trajneri i Vllaznisë, Tomas Brdariç, i cili theksoi se pa gjëra që i pëlqyen nga ai 90-minutësh, por nuk e fshehu shqetësimin për dëmtimin e Krymit.
“Fillimisht dua të falënderoj miqtë tanë, Arsenal Tivat, që erdhën deri në Shkodër për të luajtur këtë miqësore. U uroj suksese atyre dhe ish-portierit tonë, Zogoviç. Për ndeshjen do të thosha se ishte një 90- minutësh pozitiv. Pashë gjëra të mira te skuadra dhe djemtë e rinj që ishin në fushë. Kishim ritëm dhe përqendrim, duke krijuar shumë raste për gol. Rezultati ndoshta nuk është i duhuri, por nuk ishte ky qëllimi i këtij takimi. Ne duhet të mbanim ritmin dhe futbollistët të kishin ndeshje në këmbë. Dëmtimi i Krymit? Më shqetëson me të vërtetë situata e tij. Nuk besoj se do të jetë i gatshëm për disa kohë për ne dhe kjo është një humbje e madhe, për të cilën duhen marrë masat në vazhdimësi. Dëmtime të shumta? Momentalisht nuk kemi shumë lojtarë të dëmtuar, por gjëra të tilla ndodhin në futboll. Prandaj çdo skuadër ka një grup prej 22-25 lojtarësh, për të mbuluar këto dëmtime, apo penalizimet gjatë zhvillimit të një kampionati”, u shpreh trajneri i Vllaznisë.
TEUTA – Për Ndeshjen e radhës me Teutën, trajneri Brdariç tha: “Kundërshtari është i fortë dhe për t’u respektuar. Për të do vijojmë të mendojmë ditën e parë që do të rikthehemi në stërvitje gjatë javës”.
ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"