Derbi Dinamo-Tirana, orari i mbrëmjes pritet të “thithë” më shumë tifozë
Klubi i Dinamos kërkoi pak ditë më parë që orari i derbit të spostohej nga ora 16:00 në orën 19:00, për të pasur sa më shumë tifozë të pranishëm në “Elbasan Arena”.
Kështu u vendos dhe tani pritet të shihet se sa do të ndikojë zhvillimi i ndeshjes në një orar më të vonë të mbrëmjes, ku mundësitë janë më të mëdha për të qenë në stadium. Duke parë ecurinë e mirë të skuadrës këtë sezon, por edhe faktin që bëhet fjalë për një ndeshje derbi, gjasat janë që numri i tifozëve të jetë më i madh sesa zakonisht.
Edhe pse nuk luhet në kryeqytet, tifozët blu janë mësuar tashmë me këtë fakt dhe të paktën grupimi “Blue Boys” pritet që të organizohet për të mos munguar në shkallët e stadiumit. Klubi kryeqytetas do të publikojë sot edhe çmimet e biletave për këtë ndeshje. Ndoshta përveç tifozëve të Dinamos dhe Tiranës, në stadium mund të ketë edhe tifozë elbasanas, të cilët kanë mundësinë të shohin në qytetin e tyre dy nga skuadrat më me emër në futbollin shqiptar të përballen në një derbi.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"