Derbi është i Lushnjës, Apolonia bie në shtëpi. Trajneri Magani dhe “heroi” Hida: Suksesi vlen dyfish në Fier

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 16, 2024 | 15:48

Derbi është i Lushnjës, Apolonia bie në shtëpi. Trajneri Magani dhe “heroi” Hida: Suksesi vlen dyfish në Fier

Mes reshjeve të dendura të shiut, tensionit të lartë, kartonëve të verdhë e një të kuqi për trajnerin mik, si edhe luftës së ashpër sportive, Lushnja fiton minimalisht dhe merr tri pikë “të arta” kundër Apolonisë.

apolonia lushnja

Ky sukses i lushnjarëve në derbi, erdhi në javën e katërt të kampionatit në stadiumin “Loni Papuçiu”. Lushnjës i ka mjaftuar goli i shënuar nga Kledis Hida në minutën e 15-të. Me këtë fitore, Lushnja shkon në 7 pikë, duke ngjitur shkallë në renditje. Ndërsa fierakët bëjnë hapin e dytë fals në shtëpinë e tyre.

Ndeshja- Derbi nisi me Lushnjën në sulm. Xhabrahimi dhe Olola shpërdoruan edhe pse ndodheshin përballë portierit Bushi, që u tregua vendimtar te rasti i dytë. Në minutën e 15-të vjen goli i lushnjarëve. Gjithçka nis nga krahu i djathtë, me mbrojtësin Magani, që merr përsipër një inkursion personal dhe në fund harkon në shtyllën e dytë. Aty gjen mbrojtësin Hida, i cili gjuan saktë me kokë dhe kalon në avantazh, 1-0 për Lushnjën. Pavarësisht golit, Lushnja vijon të jetë më kërkuese. Në minutën e 25-të, Joti provon me një gjuajtje nga distanca, por portieri Bushi pret në dy kohë.

Minuta 40, Lushnja ka mundësinë për të dyfishuar, ku Xhabrahimi tenton me kokë, por portieri Bushi mrekullisht e devijon topin. Pjesa e parë foli e gjitha për miqtë që fituan në shifrat 1-0. Ndryshe nga e para ku Apolonia ishte inekzistente, pjesa e dytë foli e gjitha për fierakët, që janë më kërkues. Apolonia pati 3 mundësi shënimi. Minuta 52, Umejiego godet fuqishëm te vija e 16-metrave, por topi përplaset në shtyllë dhe në fund pret Alimuçaj. 10 minuta më vonë, Ndubuisi gjuan mjeshtërisht me kokë, por Alimuçaj devijo topin në korne. Më tej, është Trifoni që tenton në kufijtë e zonës, por në fund grushton portieri Alimuçaj, i cili tregoi super formë në këtë takim.

Fierakët vijojnë sulmet, por pa rezultat. Mundësia e fundit dhe më e mira për fierakët, ishte në minutën e 90-të. Goditje standarde, që merret përsipër nga mesfushori Kananaj, por topi gjen vetëm shtyllën dhe më pas del jashtë. Trajneri Magani ndëshkohet me të kuq për protesta. Përpjekjet e vazhdueshme të Apolonisë për të barazuar u penguan nga mbrojtja e ngjeshur lushnjare dhe “gardiani” Alimuçaj dhe gjithçka përfundon me rezultatin 0-1 për lushnjarët.

APOLONIA – LUSHNJA 0-1

GOLI: Hida 15’

APOLONIA: Bushi, Asllanaj, Ndubuisi, S.Repaj, Kofi, Hebeja (Rajmond 77’), Jasin (Rakipaj 46’), Topi, Musa (Kananaj 67’), Trifoni (Maksuti 86’), Umejiego; (Në dispozicion: Kaçaj, O.Repaj). Trajner: Artan Mërgjyshi

LUSHNJA: Alimuçaj, E.Magani, Hida, Korreshi, Deliaj, Meta, Joti, Uilfred (Xhemalaj 75’), Kamisoko (Tabaku 56’), Olola (Canka 85’), Xhabrahimi (Mikael 75’);) (Në dispozicion: Haremi, Januzi, Muça, Hysa, Kaçanolli, Mota). Trajner: Gugash Magani

 Kartonë të verdhë: Asllanaj 26’, Topi 27’, Umejiego 70’, Trifoni 73’ / Uilfred 34’, G.Magani 71’ 90+1’(trajneri), Joti 73’ Korreshi 89’

Kartonë të kuq: G.Magani 90+1’ (trajneri)

Gjyqtarë: D.Maletaj (Tropojë), E.Spahiu (Tiranë), K.Zefej (Lezhë)

Vëzhgues: Ndriçim Havari (Vlorë)

Delegat: Arbër Kalemi (Durrës)

Trajneri i Lushnjës/ Magani: Ky sukses vlen 6 pikë, po injektoj mentalitet fituesi

Gugash Magani, trajneri i Lushnjës, pas suksesit në Fier, në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport” u shpreh: “Duke qenë një ndeshje derbi dhe duke ditur emocionet e forta të këtyre ndeshjeve, jam shumë i lumtur me fitoren dhe marrjen e tri pikëve. Ndonëse morëm tri pikë, mendoj se kemi fituar një ndeshje që vlen gjashtë pikë. Bëmë një pjesë të parë shumë të mirë, ku dominuam në çdo aspekt kundërshtarin. Ndërsa pjesë të dytë jo e mirë duke rrezikuar seriozisht fitoren. As më shumë e as më pak, bëmë të njëjtat gabime si në Krujë. Ka qenë një ndeshje e vështirë, dihet forca dhe kualiteti i Apolonisë, por mendoj se ditëm t’u bëjmë ballë. Ishim të organizuar në çdo repart, megjithatë nuk kemi arritur kulmin tonë pasi disa lojtarë na janë bashkuar me vonesë dhe duan kohën e nevojshme për t’u përshtatur dhe ambientuar. Kemi bërë start pozitiv, por duhet të qëndrojmë me ‘këmbë në tokë’ dhe të mbajmë larg euforinë. Ky është vetëm fillimi, kampionati është i gjatë dhe duhet dhënë e marrë gjithmonë maksimumi. Po përpiqem ditë pas dite të injektoj mentalitetin e fituesit, pasi mundësitë janë për më shumë”.

Golashënuesi / “Heroi” Hida, gol me dedikim të veçantë në derbi

Kledis Hida, autori i golit dhe “heroi” i fitores së Lushnjës në derbi  pas takimit u shpreh: “Arritëm një fitore të madhe në derbi. Duke ditur se u thye “tersi” ndaj Apolonisë në Fier, fitorja dhe merr vlerë të dyfishtë. Ishte një ndeshje që e kishim vlerësuar në maksimum dhe kishim synim të merrnim tri pikët. Ishim të qartë dhe ia dolëm së bashku. Objektivi ynë është t’i marrim ndeshjet një nga një, t’i vlerësojmë njësoj dhe në fund të marrim më të mirën e mundshme. Kemi një ekip të mirë dhe besoj se me këtë grup do të ecim përpara. Sa i përket golit, jam shumë i lumtur sepse e gjej në një transfertë të vështirë dhe ndaj një kundërshtari të fortë. Goli është dedikim për një person të veçantë timin, që nuk jeton më”.

HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"