Devolli pësoi 15 gola në Vlorë, presidenti Meraku: Më mirë të mos shkonim fare!
16 tetori i 2024-ës do të mbetet në histori për skuadrën e Devollit, pasi në turin e parë të Kupës së Shqipërisë u mund nga Flamurtari në shifrat 15-1. Presidenti i Devollit, Spartak Meraku, në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” tregon se çfarë ndodhi me skuadrën e tij në Vlorë.
Ai nuk lë pa “thumbuar” vlonjatët, pasi sipas tij mund të kishin qenë më të kursyer, aq më shumë që në portë kishin një portier të ri dhe që ka qenë i sëmurë ditën e ndeshjes. Meraku pohon se ata shkuan dhe respektuan FSHF-në dhe Flamurtarin, pasi fare thjesht mund të mos kishin udhëtuar dhe të humbisnin ndeshjen 3-0 në tavolinë. Financuesi i Devollit pohon se vlonjatëve ua kanë hapur dyert sa herë kanë dashur, por ja që ndodhi.
Çfarë ndodhi me Devollin që pësoi një humbje historike në Vlorë?
Çfarë të themi. Portierin e parë e kemi të dënuar, plus nuk morëm shumë pjesë në organizimin e kësaj ndeshje, pasi Kupa nuk është në planet tona. E respektuam thjesht si kalendar, pasi nuk kishim ndonjë pretendim. Edhe ata nuk është se u treguan korrektë, pasi portierin ynë është një djalë i ri dhe ishte i sëmurë, plus që kishim edhe lojtarë të tjerë të pezulluar, përveç portierit të parë.
Mos ndoshta ndikoi edhe udhëtimi, pasi ekipi u paraqit në stadium 15 minuta para fillimit të ndeshjes?
Me organizimin janë marrë ata të klubit, pasi personalisht ende nuk jam i angazhuar plotësisht. S’besoj se ka të bëjë udhëtimi, problemi është se edhe lojtarët që luajtën janë të rinj, të papërgjegjshëm. Në aspektin futbollistik, kjo nuk i takon Flamurtarit, sa u përket shifrave. Mund të thuhet se ky është futbolli dhe nuk ka tolerime, gjithsesi nuk është se fiton gjë. Nuk ke çfarë t’i bësh, ndodhi!
Pra, po thoni se vlonjatët duhet të ishin treguar më të kursyer dhe njerëzor kundër Devollit?
Ne nuk kishim asnjë statistikë apo rivalitet me ata. Ne edhe mund mos të luanim fare duke mos udhëtuar drejt Vlorës, por për respekt të federatës dhe Flamurtarit shkuam. Devolli drejtohet nga menaxheri, pasi unë ende nuk kam dokumente si president. Thjesht bëj mbështetjen financiare nga jashtë. Ende nuk është bërë kalimi i skuadrës nga bashkia te privati. Më vjen keq, pasi lojtarët janë edhe të paguar dhe të trajtuar mirë me hotele, grumbullime dhe trajtime ushqimore. Nuk e kishim problem të shkonim edhe një ditë para në Vlorë, por vetë skuadra e vendoi që të udhëtonin ditën e ndeshjes. Për mua kanë qenë thjesht gjëra nënvleftësimi.
Po mos të shkonit thjesht do të humbisnit 3-0 në tavolinë dhe jo 15-1 siç e pësuat në fushë…
Kur e mendon në kuptimin e shifrave, mbase do të kishte qenë më mirë kjo që të mos paraqiteshim dhe humbisnim takimin në tavolinë. Ata shkuan, kishim edhe 5-6 lojtarë të rinj, që kanë ardhur edhe nga Skënderbeu, por nuk e treguan veten.
Ju vjen keq që ua bëri ashtu Flamurtari?
Po mirë, ata treguan veten. Ne u kemi hapur edhe derën e shtëpisë tonë. I kemi respektuar si shqiptarë dhe besimtarë. Kanë ardhur këtu, u kemi hapur stadiumin janë stërvitur dhe nuk kemi pasur asnjë histori grindjeje apo hakmarrje apo ndonjë mllef. Ne gjithmonë i kemi respektuar, siç jemi ne të zonave rurale, pa ndonjë djallëzi. Ata e bënë. Hajt më, do të ndodhë. Do e bënte dikush që të shënohet si për mirë dhe si për keq.
A pritet të merrni ndonjë masë për ekipin për këtë disfatë?
Masë? Ne jemi në fazën e kampionatit dhe interesin aty e kemi si ekip. Çfarë t’u themi, pasi edhe kushtet nuk i kemi në gjendjen që duhur. Nuk e kemi numrin e duhur të lojtarëve në organikë, kështu që nuk kemi luksin të marrim vendime me peshë. Këtë të ndëshkosh dhe kë të falësh, kjo është situata jonë. Plus, unë personalisht nuk e kam autoritetin e duhur, pasi vendos menaxheri i klubit dhe Kryetari i Bashkisë.
ILIR CARA-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"