“Dhimbje koke” për Brdariç/ Vllaznia, sërish me 3 mungesa edhe kundër Skënderbeut

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 27, 2024 | 20:47

“Dhimbje koke” për Brdariç/ Vllaznia, sërish me 3 mungesa edhe kundër Skënderbeut

Mesa duket mungesat do të shoqërojnë Vllazninë edhe në takimin e javës së tretë të këtij sezoni. Mesa mësohet edhe për këtë takim të tretë tekniku Brdariç nuk do të ketë të gatshëm tre nga lojtarët, të cilët kishin për të qenë pjesë e formacionit të parë.

brdaric

Një nga dëmtimet që duket se do të kërkojnë më shumë kohë për rikuperim do të jetë ai i Ildi Grudës. Nga sa mësohet problemi në gjurin e djathtë do të zgjasë edhe për disa kohë, minimalisht mësohet se ai do të mungojë për afro një muaj për tu kthyer në stërvitje çfarë do të thotë se me shumë gjasa për të qenë në fushën e lojës do t’i duhet deri në fund të vitit.

DY TË TJERË

Përveç tij dy nga afrimet e verës kroati Karimanoviç e kosovari Bajrami, duket se do të vijojnë të mos jenë pjesë e planeve kuqeblu edhe për këtë takim. Të dy po vuajnë problemet që kanë me tërheqjet muskulore. Bajrami nuk ka zhvilluar asnjë takim të këtij sezoni, madje nuk ka qenë as në planet e teknikut Brdariç, ashtu si edhe kroati Karimanoviç.

Nëse Bajrami mungoi që në fazën përgatitore, dëmtimi i kroatit ka mbërritur pak ditë para startit të sezoni dhe pikërisht takimit të parë ndaj Partizanit. Të tria këto mungesa kenë ndikimin e tyre në kontingjentin e skuadrës shkodrane.

KTHIMET

Duhet theksuar se për takimin ndaj Skënderbeut, tekniku Brdariç do të ketë në gjendjen optimale mesfushorin Ardit Krymi, i cili në takimin me Tiranën u aktivizua në pjesën e dytë, por mësohet se po kalon tërheqjen muskulore, që e ka pësuar para startit të kampionatit.

Tekniku Brdariç duket se ka pasur jo pak probleme me dëmtimet në këtë start të kampionatit, gjë që ka detyruar në një farë mënyrë që të ndryshojë edhe në formacionin e parë. Tani mbetet që të shihet mbi ecurinë e rikuperimit këtyre lojtarëve dhe me shpreson që gjatë kësaj jave teknikut të mos ketë lojtarë të tjerë që mund të preken nga probleme të tilla.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"