DHZK i jep të drejtë për pagat e pashlyera, sulmuesi fiton gjyqin me Kukësin dhe del lojtar i lirë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 27, 2024 | 21:50

DHZK i jep të drejtë për pagat e pashlyera, sulmuesi fiton gjyqin me Kukësin dhe del lojtar i lirë

Atdhe Rashiti nuk është më një lojtar i Kukësit. Duket se “lufta” mes sulmuesit dhe klubit ka përfunduar me “fitoren” e këtij të fundit. Burime të “Panorama Sport” raportojnë se 25–vjeçari ka dërguar në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve klubin verilindor për zgjidhjen e kontratës për shkak të pagave të pa shlyera nga ana e Kukësit.

rashiti

Në vendimin e datës 25 shtator, DHZK-ja i jep të drejtë lojtarit të jetë i lirë dhe të mbyllë në këtë mënyrë aventurën e tij më shumë se dyvjeçare me kuksianët.

RAPORTET – Rashiti u afrua në verën e vitit 2022 në radhët e ekipit të Kukësit, si një ndër lojtarët më premtues dhe që do të mbante peshën e skuadrës në fazën ofensive. Luajti dy sezone me ta me shumë ulje-ngritje, edhe për shkak të dëmtimeve të shpeshta, por edhe kontradiktave në klub. Me verilindorët ai luajti gjithsej 30 ndeshje në dy sezone, duke shënuar pesë gola. Me rënien e skuadrës në Kategorinë e Parë, lojtari nuk ka preferuar të vijojë më aventurën me Kukësin, ndonëse klubi kërkonte zbatimin e kontratës. Madje, ai gjatë kësaj periudhe nuk është bashkuar me skuadrën gjatë seancave stërvitore, duke bërë që marrëdhëniet mes tyre të ishin “të ngrira”. Në një situatë të tillë, sulmuesi kërkoi zgjidhje ligjore dhe më në fund mund të konsiderohet një lojtar i lirë. Në fakt, ky është një ndër të paktat gjyqe që klubi i Kukësit ka humbur, pasi zakonisht kanë dalë të fituar, por mesa duket pagat e pa marra dhe argumentet që ka paraqitur Rashiti në DHZK, i kanë dhënë të drejtë këtij të fundit.

KORABI – Pavarësisht situatave që ndodhin jashtë fushës së lojës, Kukësi është i fokusuar maksimalisht ta shfrytëzojë në favorin e vet këtë moment që vjen pas fitores me Valbonën. Verilindorët do të përpiqen të koleksionojnë fitoren e radhës në kampionat, kësaj here në shtëpi përballë Korabit. Trajneri Emiljano Çela është duke u dhënë dorën e fundit përgatitjeve për sfidën e nesërme, me shpresën se do të dalin me tri pikë. Verilindorët duan të sigurojnë sa më shumë pikë deri në hapjen e merkatos së janarit dhe më pas të shohin nëse do të ketë nevoja për të bërë ndërhyrje të tjera.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"