Di Maria dhe Reali i Murinjos, argjentinasi e pranon: Barça ndalej vetëm me shkelma
Angel Di Maria, futbollisti i Benfikës, i cili luajti për 4 vjet me Realin e Madridit (nga viti 2010 deri në vitin 2014), ka kujtuar në kanalin “YouTube” “Clank” rivalitetin e ashpër të Madridit të Murinjos me Barcelonën e Pep Guardiolës, duke u fokusuar në finalen e Kupës së Mbretit në vitin 2011 që u luajt në “Mestalla” (Valencia).
Reali i Mou-së mundi Barçën e Guardiolës me golin e Kristiano Ronaldos në minutën e 102-të, pasi koha e rregullt ishte mbyllur në barazim. Anësori argjentinas, i cili u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 120-të, shpjegoi se “e vetmja mënyrë për të mposhtur atë ekip të Barcelonës ishte t’i godisje me shkelma, t’i shënoje dhe të vrapoje më shumë se ata”.
“Kjo mënyrë të luajturi e jona bëri që ata të mërziteshin në fushë. Nganjëherë kisha frikë se “xhuxhi” (Leo Mesi) do të dëmtohej, isha më i shqetësuar se mos i ndodhte gjë se sa për ndonjë gjë tjetër”, theksoi Di Maria duke ndarë shqetësimin e tij për mikun e tij në ato ndeshje.
Argjentinasi kujton se “ndeshja në ‘Mestalla’ ishte shumë e vështirë. Ajo finale ishte shkelm pas shkelmi. Edhe unë i dhashë një shkelm Mesit. Më pas e ngrita dhe i thashë ‘më fal xhuxh’ por nëse do ta kisha lënë do të kishte shënuar. Nuk më dha asnjë mundësi tjetër. Vetëm kështu mund të ndalej ai, vetëm kështu mund të ndalej Barcelona”.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"