Dibranët rikthejnë mbrojtësin, Disha: Korabi është ekipi im i zemrës, shpresoj të bëj më të mirën
Rifillimi i kampionatit e riktheu Korabin te humbja. Skuadra e drejtuar nga Agim Canaj regjistroi shifrat 0-3 në Vlorë përballë Flamurtarit. Tashmë dibranët kanë mbetur në vendin e 10-të, me 16-të pikë. Klubi ka bërë disa afrime të rëndësishme në merkato.
Në skuadër është rikthyer edhe mbrojtësi i njohur Roland Disha. 25-vjeçari ka mbyllur bashkëpunimin me Lushnjën pas një sezoni e gjysmë. Në një prononcim për gazetën “Panorama Sport” shprehet: “Nga ekipi i Lushnjës u mbyll bashkëpunimi pasi shumë gjëra nuk shkuan ashtu siç unë e mendova. Por, për aq sa qëndrova në atë ekip kalova një periudhë mjaft të mirë. Korabi është ekipi ku unë hodha hapat e mi të parë si futbollist profesionist.
Është ekipi i zemrës dhe nuk mundesha ta mendoja dy herë rikthimin në shtëpi. Kalimi im te Korabi u bë i mundur pas telefonatës së drejtuesve. Rashë dakord për t’u rikthyer përsëri aty ku unë e nisa. Jam mjaft i lumtur, që jam përsëri pjesë e KF Korabit. Kam firmosur një kontratë 6-mujore me ekipin. Shpresoj të jap më të mirën time”, deklaroi mbrojtësi dibran Roland Disha.
ALBAN ALUSHI- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"