“Diferenca me skuadrat e tjera është…”, Dabulla: Vllaznia do të jetë testi i vazhdimësisë, Tirana e ka të vështirë të jetë në katërshe

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 25, 2024 | 15:05

“Diferenca me skuadrat e tjera është…”, Dabulla: Vllaznia do të jetë testi i vazhdimësisë, Tirana e ka të vështirë të jetë në katërshe

Rezart Dabulla mendon se për Tiranën e re është e vështirë të flitet në këtë moment. Për ekipin duhet kohë që të japë një opinion, ndonëse në fund skuadra do ta ketë të vështirë për “Final 4”.dabulla

Ishmbrojtësi dhe kapiteni deklaron se me Vllazninë është testi i vazhdimësisë, ndërsa sërish kritikon zgjedhjet e vjetshme të lojtarëve me emër. Për skuadrën e sivjetshme thotë që është një ekip mesatar dhe i njëjtë me klubet e tjera, ndërsa ndryshimi vetëm është fanella. Në fund, ish-mbrojtësi deklaron se nuk duhet të bëjë gabimet e sezonit të shkuar.

Dabulla, keni një opinion për ndeshjen e parë të Tiranës në kampionat. Barazoi me Laçin, por çfarë skuadre patë në fushën e lojës?

Për Tiranën është shpejt për të folur. Do të ishte paragjykim nga ana ime, të flisja për këtë skuadër, për mirë apo për keq. Për më tepër, që skuadra ka afruar lojtarë që nuk e njohin as kampionatin dhe as njëritjetrin. Duhet kohë për ta parë sesi do të jetë në vazhdimësi. Për mua një barazim në ndeshjen e parë quhet rezultat pozitiv. Shto këtu edhe faktin që formula të jep mundësi që të bësh gabime rrugës dhe ta rikuperosh më vonë. Gjithsesi, është e rëndësishme që në fund të jetë në katërshe.

Në fundjavë luhet klasikja në Shkodër. Çfarë mendimi keni për sfidën me Vllazninë?

Të shohim sesi do të jetë vazhdimësia. Unë dua dhe shpresoj që të fitojë Tirana. Për ekipin, në Shkodër, ky do të jetë testi i radhës dhe i vazhdimësisë. Shkodranët kanë ndryshuar, por jo shumë në krahasim me Tiranën.

Përsa u përket lojtarëve, keni një opinion për të rinjtë që u aktivizuan për herë të parë. Çfarë vlerësimi keni për lojtarët e merkatos?

Lojtarë normalë m’u dukën. Ndonjë përshtypje nuk bëri ndonjëri apo nuk kisha ndonjë “uau” kur i pashë në fushën e lojës. Asnjëri nuk shkëlqeu, por ishin futbollistë mesatarë. E përsëris, është shpejt për të folur për ndonjërin, pasi duhet të shohim vazhdimësinë e paraqitjeve. Edhe klubi mesa e kam parë e pranon se nuk ka blerë ndonjë yll, por futbollistë për të përballuar kampionatin.

Në planin afatgjatë, ku e shihni këtë skuadër të ndërtuar nga e para këtë verë?

Për këtë gjykim më duhet kohë që ta jap. Vjet, kur u formua në verë, skuadrën e shihja goxha mirë. Në fund të kampionatit mezi kapën vendin e pestë dhe mezi dolën në Europë. Si filloi dhe si mbaroi kishte një ndryshim shumë të madh. Ishte një zhgënjim për mua. Unë nuk e kisha parashikuar që do të dilnin të pestët, por dolën edhe pse kishin lojtarë me “emër”. Pamë këta lojtarë me “emër” që nuk performuan siç duhet dhe dolën të pestët. Tani nuk e di nëse janë gabimet e lojtarëve apo të drejtuesve apo të të gjithëve bashkë nuk po i ndaj. Këtë vit nuk ka lojtarë me emër, por do t’i shoh në fushë. Parashikim afatgjatë nuk mund të jap, sepse unë në fund nuk dua t’i paragjykoj, por t’i gjykoj.

Shumë lojtarët të larguar, por nga skuadra e vjetshme, duhej të mbaheshin lojtarë?

Po duhet të mbaheshin disa titullarë, por jo me pagesat që kishin. Klubi u ka ofruar rinovimin me ulje rroge dhe kjo është normale, pas dështimit të një sezoni më parë. Si futbollist nuk mund të kërkosh “qiqra në hell”. Siç duket ishin mësuar keq dhe kërkonin ato pagesa që jepte Tirana. Të gjithë ata që kanë qenë, kudo që të shkojnë në Shqipëri nuk i marrim më ato para apo rrogë që u ka dhënë Tirana. Vetë ata ishin të interesuar që të jepnim maksimumin në fushë dhe të tregonin veten tyre para të gjithëve se ata e meritonin atë rrogë të lartë. Është njëlloj sikur në një shishe 0.5 litra të hedhim 1.5 litra. Ajo shishe mban vetëm 0.5 litra. Edhe puna e lojtarit kështu është. Jepi lek sa të duash, kapaciteti i tij aq është. Është gabimi i drejtuesve në këtë rast. Duhet të qëndronin disa lojtarë me paga më të ulëta, por nuk kanë pranuar, pasi nëse dikush mësohet me shumë lekë, kur i ofron pak lekë mendojnë se i ka rënë vlera. Atje ku kanë shkuar kanë marrë më pak lekë se te Tirana. Ta garantoj këtë.

Si e keni parë Superioren në javën e parë?

Të gjitha skuadrat për mua janë të forta ose duhen shumë javë që të shihen diferencat. Unë e shoh një kampionat të fortë dhe ka shumë skuadra me pretendime. Madje, edhe skuadrat që kanë ardhur nga kategoria tjetër, si Elbasani. Do të jetë kampionat shumë i fortë. Do ta bëjnë diferencën javët në vazhdim dhe sa i vëmendshëm do të jetë ekipi nga fillimi deri në fund të kampionatit. Gabime që vjet i bëri Tirana vjet, duke lëshuar ndeshje pa fund apo barazuar ka fund. Erzeni ra nga kategoria, por i mori Tiranës 7 pikë.

Ju jeni kritiku më i madh i skemës. Vazhdoni me idenë se skema është e gabuar?

Sigurisht që po. Skema është e gabuar. Jam me logjikën se kush del i pari në renditje merr titullin. Nuk ka përse të barazosh mundin e një skuadre që është në vendin e parë në 36 javë dhe me diferencë, në dy ndeshje shtesë. Kjo nuk është meritokraci, por tallje me djersën e lojtarëve. Të gjithë strategjitë dhe planet e një skuadre bien poshtë në dy takime, pasi të kalon skuadra e vendit të katërt. Këta thonë që bëmë për tifozët dhe që kampionati të ishte interesant, por e pamë sesa grumbulluan dy ndeshjet tifozë dhe interes. Dështim ishin të gjitha ndeshjet. Këta nuk e pranojnë që ishte gabim skema, por e vazhdojnë gabimin. Kjo skemë largon tifozët nga stadiumi.

Tirana me këtë skuadër, a e kap katërshen në fund të 36 javëve kampionat?

Tirana do ta ketë të vështirë nuk do ta ketë kollaj të kapë katërshen. Nëse vjet na dukej e lehtë, këtë vit e shoh të vështirë. Janë shumë skuadra që e duan katërshen. Në letër nuk ka skuadra të dobëta. Tirana është për t’u zbuluar, me lojtarë të rinj që nuk e njohin kampionatin. Është e re në çdo drejtim dhe për ta do të jetë shumë e vështirë që të kapin katërshen. Flas për këtë objektiv, se për kampion do të jetë edhe më e vështirë. Kjo u vërtetua vjet. Do ta shohim nëse një skuadër normale do ta arrijë objektivin. Diferenca mes Tiranës dhe skuadrave të tjera është vetëm bluza që është bardheblu. Për cilësi lojtarësh janë aty-aty. Tirana duhet të ketë kujdes edhe Kupën, se pas turpit si ai i Erzenit që ka marrë shtatë pikë, ekipin e eliminoi nga Kupa Kukësi që ra nga kategoria. Imagjino ku ishim vjet. Falënderimi i shkon Egnatias për Europën. Të jemi me këmbë në tokë, por unë vazhdoj të jem skeptik. Këtë herë dua të gaboj me skepticizmin tim. Dua që ekipi të më zhgënjejë për mirë.

Po Europa?

Në Europë pretendoja se do ta kalonte turin, kjo duke parë edhe ndeshjen e parë në Gjeorgji. Pas barazimit në Gjeorgji, ekipi u tregua më i vogël se ç’duhej.

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"