Dilema në mesfushë dhe sulm, Tirana e Maganit pritet me ndryshime kundër Bylisit
Trajner i ri. Huqe të reja, ashtu si edhe formacion të ri. Gugash Magani pritet të sjellë ndryshime te bardheblutë.Sidomos në formacionin e parë. Në stërvitjet e para nuk ka lënë ndonjë shenjë, por është e sigurt që gjërat do të jenë ndryshe në fushën e lojës. Nga titullarët e deritanishëm mund të ketë lojtarë, që do të ulen në stolin e rezervave dhe të tjerë, të cilët do të fitojnë një fanellë titullari.
PORTA – Me portën nuk do të ketë ndryshime. Si zakonisht do të jetë Gentian Selmani. Lëvizja mund të jetë portieri i dytë. Harizaj që deri tani ka qenë i dyti, mund të shkojë në tribunë dhe në stol të kthehet Leon Kozi.
MBROJTJA – Ndryshime mund të ketë në mbrojtje, te krahët. Kështu, dueli i parë do të jetë Aran-Gjumsi në krahun e djathtë dhe cili prej tyre do të luajë nga minuta e parë. Në qendër, gjërat nuk ndryshojnë me dyshen KolaDembele. Majtas është Ismajli, por me ardhjen e Përgjonit, situata ndryshon dhe kosovarit i duhet vend në fushën e lojës.
MESFUSHA – Rebusi më i madh është reparti i mesfushës. Çfarë do të bëjë Magani dhe me cilët do të luajë. Treshja e zakonshme deri tani ka qenë Meta, Soler dhe Jonuzi. Gjithsesi, mund të ndodhë që në skuadër të luajnë të tjerë emra. Meta është i vetmi me vendin e sigurt. Edhe Soler mund të jetë në stol, por të shohim. Të gatshëm janë Tola, Jaku, të luajnë nga minuta e parë.
SULMI – Në sulm opsionet janë të ndryshme. Mund të ndodhë që Haxhiu të kalojë majtas, Abah djathtas dhe në qendër njëri prej dyshes Zharmuni-Bajroviç. Për t’u parë nëse Magani do të bëjë ndryshime në qendrën e sulmit.
GJENDJA – Për sfidën me Bylisin në shtëpi, Tirana do të ketë mungesat e Prengës dhe Përgjonit të dëmtuar. Nga ana tjetër në takimin ndaj Elbasanit mund të mos jenë dy lojtarë të tjerë Gjumsi-Mici. Të dy futbollistët kanë nga tre kartonë të verdhë. Nëse luajnë në sfidën e radhës ndaj Bylisit dhe ndëshkohen me karton të verdhë, ata humbasin ndeshjen në shtëpi me Elbasanin. Kujtojmë që Tirana së bashku me sfidën ndaj Egnatias bën 10 javë që luan jashtë fushës së vet. Bardheblutë kanë luajtur në Tiranë vetëm ndaj Elbasanit dhe Skënderbeut, ndërsa takimet e tjera kudo në Shqipëri. Për më tepër që tani ekipi nuk ka mbështetje as tifozërinë, e dënuar nga Komisioni i Disiplinës.OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"