Dinamo “fal” shumë, i mungon instinkti vrasës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 24, 2024 | 19:56

Dinamo “fal” shumë, i mungon instinkti vrasës

Barazimi në fushën e Teutës nuk do të ishte keq, nëse Dinamo nuk do të kishte pasur ato raste të pastra shënimi për ta mbyllur ndeshjen me golin e dytë. Zabërgja, Bregu dhe Vila mund t’i kishin dhënë skuadrës 3 pikët, nëse do ta kishin shfrytëzuar më mirë mundësitë që patën përballë Tafasit në Durrës. 

Dinamo

Përveç problemeve të tjera teknike që ka skuadra dhe që trajneri Ilir Daja i evidentoi pas ndeshjes me Teutën, që përfundoi 1-1, duket se kryeqytetasit nuk kanë fituar ende atë personalitetin për të vendosur diktatin e tyre në një ndeshje.

Para sfidës së Durrësit ndodhi e njëjta gjë edhe me Skënderbeun në Elbasan, por në atë rast Dinamo pati fatin në anën e saj dhe arriti të merret maksimumin. Kualiteti nuk mungon, puna gjithashtu po bëhet me ritëm shumë të lartë, por ndoshta do të duhet akoma kohë që “Nëndetësja” të kompletojë profilin e një pretendenteje të denjë për titullin kampion në Superiore.

INSTINKTI VRASËS – Fakt është që blutë vuajnë në momente të caktuara të ndeshjes, por gjithashtu ata krijojnë mundësi të mira shënimi në zonën kundërshtare. Në 4 ndeshjet e fundit kanë shënuar rregullisht dhe për më tepër kanë shpërdoruar edhe raste të tjera. Ky është edhe defekti që ua bën atyre gjithçka më të vështirë. Sulmi i Dinamos, përveçse nuk administron si duhet mbajtjen e topit për t’i lehtësuar punën skuadrës, ka edhe problemin që nuk arrin të “vrasë” ndeshjet me rastet që krijon.

Kundër Teutës, kur skuadra e Dajës ishte në avantazh 0-1, ishin të paktën dy mundësitë për t’i dhënë goditjen e “nokautit” kundërshtarit. Ndoshta Dinamo nuk ka arritur ende të ketë qasjen e një skuadre të madhe në fushë, e skuadrës cinike që godet atëherë kur duhet për të dalë me tri pikët edhe në ndeshjet kur nuk është në formën më të mirë të mundshme.

ANA POZITIVE – Barazimi në Durrës ka edhe anën e vet pozitive, pasi e ndihmon skuadrën të mos bjerë moralisht, aq më tepër kur përpara ka një sfidë shumë të fortë, siç është ajo me Vllazninë kryesuese. Blutë nuk humbasin prej katër javësh dhe mbajnë vendin e 5-të në klasifikim, vetëm një pikë larg zonës “Final 4”. Nëse korrigjohen disa gabime që janë vënë re këto javë, Dinamo mund të bëjë hapa të rëndësishëm.

Fatjon Rupi – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"