Dinamo humbet Salin, Daja konfirmon Nanin titullar kundër Bylisit. Ja çfarë do të ndodhë me Jonuzin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 9, 2025 | 8:50

Dinamo humbet Salin, Daja konfirmon Nanin titullar kundër Bylisit. Ja çfarë do të ndodhë me Jonuzin

U mendua se Dinamo do të udhëtonte e plotë drejt Ballshit, ku do të luajë ndeshjen e javës së 20-të të Superiores, por nuk do të jetë kështu.DinamoBlutë do të kenë mungesa edhe në ndeshjen e parë të vitit 2025, ku për shkak dëmtimi është ndalur portieri Edmir Sali. Portën e Dinamos në ndeshjen e nesërme me Bylisin do ta mbrojë Aldo Teqja, pasi kolegu i tij nuk ia del për të qenë në fushë këtë fundjavë.

“Gardiani” vlonjat ka pësuar disa ditë më parë një dëmtim muskulor dhe do të mungojë në transfertën e Ballshit, ndoshta edhe në ndeshjen e Kupës së Shqipërisë kundër Erzenit mesajvën e ardhshme. Vendin e tij, ashtu si në ndeshjen e fazës së dytë ndaj Bylisit, që përfundoi në barazim 1-1, do ta marrë Teqja. Ky i fundit ka qenë titullar edhe në dy ndeshje të tjera të këtij kampionati, konkretisht në derbin me Tiranën fazën e parë (0-0) dhe në sfidën me Egnatian në Rrogozhinë (1- 1). Tani do të luajë edhe ndeshjen e 4-t në formacionin blu, me shpresën për të festuar fitoren këtë herë. Fushën e stadiumit të Ballshit Teqja e njeh mirë, pasi më parë ka mbrojtur portën e Bylisit për një sezon dhe ka bërë një paraqitje mjaft të mirë.

NANI Pjesa tjetër e skuadrës është gati për trajnerin Ilir Daja, por nuk mendohet të ketë shumë lëvizje në formacion, në raport me ata që mundën Egnatian në ndeshjen e fundit të 2024-ës. Stafi teknik do të vendosë pas seancës së sotme stërvitore, por zgjedhjet janë kristalizuar pak a shumë, me përjashtim të ndonjë dileme. Në sulm me siguri do të ketë një fanellë titullari për Tiago Nanin, portugezin që ka shënuar 5 gola me fanellën e Dinamos në ndeshjet e fundit, që kur zuri vend në formacion, pas mungesave të Bregut dhe Mandelës.

Sulmuesi i krahut të djathtë gëzon një formë shumë të mirë, ndaj dhe trajneri Daja do t’i besojë nga minuta e parë edhe në transfertën me Bylisin. Portugezi ka pasur një rendiment vërtet të mirë, duke qenë vendimtar në disa fitore të bluve. Ai e ka fituar formacionin me gola dhe për sa kohë do të vazhdojë të shënojë, do të jetë titullar pa dyshim. Baton Zabërgja po ashtu mbetet një titullar i padiskutueshëm te Dinamo, ndërsa për sulmuesin e tretë mbetet të shihet se çfarë vendimi do të marrë trajneri Daja, i cili tashmë ka të gatshëm edhe Dejvi Bregun. Kreu i stolit blu do të zgjedhë mes tij dhe Mandelës, ndoshta me këtë të fundit më të favorizuar.

JONUZI, NË STOL- Mesfushori i afruar së fundi te Dinamo, Fjoart Jonuzi, do ta nisë nga stoli ndeshjen e nesërme me Bylisin. Ai ka vetëm dy ditë që i është bashkuar skuadrës dhe logjikisht nuk pritet të futet menjëherë në formacion. Gjatë ndeshjes, në varësi të situatave dhe të rezultatit, 28-vjeçari mund të bëjë debutimin me fanellën e “Nëndetëses”. Mesfushori kuksian është një alternativë më shumë për stafin e Dinamos, që për momentin sheh si titullarë Tolin dhe Gudiabin. Për një vend duket se luajnë për ndeshjen e nesërme Qefalija me Karambën, ku i pari ka më shumë shanse për të qenë në fushë nga minuta e parë.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"