Dinamo, me modelin “Lorran” për të ndërtuar ekipin e ri
Te Dinamo kanë nisur ndryshimet për sezonin e ri, edhe pse stërvitja nuk ka përfunduar ende. Vendi i 7-të në kampionatin e fundit nuk i ka lënë të kënaqur drejtuesit e klubit kryeqytetas, të cilët synojnë të sjellin një frymë të re këtë verë, si në organizim, ashtu edhe në kualitetin e skuadrës dhe rrjedhimisht edhe objektivat e saj.
Janë larguar të gjithë lojtarët, të cilëve u përfundonte kontrata me blutë, priten edhe largime të tjera, ndërkohë që ka nisur puna edhe për përforcimet. Dinamo ka një grup lojtarësh nga sezoni i fundit dhe nuk ka nevojë për ndryshime radikale. Stafi teknik mund të niset nga një bazë, ku bëjnë pjesë emra si, Sali, Hoxha, Lorran, Gudiabi, Zabërgja, Qefalija dhe disa të tjerë. Megjithatë, disa afrime me kualitet janë të nevojshme për këtë skuadër dhe lëvizjet kanë filluar pas mbylljes së kampionatit.
MODELI LORRAN – Pika e referimit për lojtarët që do të afrohen te Dinamo është braziliani Lorran. Ai është modeli që duan drejtuesit e Dinamos sa i takon impenjimit në fushë, korrektësisë dhe marrjes së përgjegjësive. Mbrojtësi i majtë është nja nga ata që i ka lënë të kënaqur 100% drejtuesit blu. Lorran është vërtet një shembull në fushë. Ai ka luajtur në të 36 ndeshjet e kampionatit, 33 nga të cilat si titullar dhe 3 të tjerët si zëvendësues. Mban vendin e dytë për nga minutazhi, pas brazilianit tjetër Denison. Nuk ka munguar asnjëherë as për dëmtim dhe as për shkak kartonësh, edhe pse luan në mbrojtje. Gjithë sezonin është ndëshkuar vetëm dy herë me karton të verdhë, në dy ndeshje me Laçin.
Mbi të gjitha 28-vjeçari nuk u është shmangur asnjëherë përgjegjësive, ka dhënë gjithçka nga vetja jo vetëm në rolin e tij natyral si mbrojtës i majtë, por edhe në mesfushë, kur i është kërkuar. Një profesionist i vërtetë. Pikërisht të tillë profile lojtarësh do të kërkojnë blutë në merkaton e dimrit për t’ia bashkuar skuadrës në momentin që ajo do të nisë përgatitjet e verës. Përforcimet do të prekin të gjitha repartet, që nga porta e deri te sulmi, ndërsa për emrat është ende herët për të folur. Ditët e fundit po stërvitet me Dinamon një sulmues kongolez, i cili ka ardhur për t’u provuar dhe nëse e kalon provën, do të qëndrojë në Arbanë. Klubi kryeqytetas po sheh për përforcime si në tregun vendës, për ata lojtarë që nuk kanë kontratë, por edhe jashtë vendit.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"