Dinamo nuk i “zë besë” Bylisit, rikthehet portieri Sali
Java e 11-të e kampionatit mund t’i buzëqeshë Dinamos, por vetëm nëse ajo vetë arrin të mposhtë Bylisin të enjten në “Elbasan Arena”. Në kampin blu në fakt nuk bëjnë llogari, sepse kundërshtari nuk mund të nënvlerësohet kurrsesi. Kryeqytetasit nuk e shohin aspak nga pozicioni në renditje Bylisin, për më tepër që ky ekip u dha një sinjal të fortë pak ditë më parë me fitoren 4-0 ndaj Teutës.
Pas dy barazimeve radhazi, 18 herë kampionët e vendit kërkojnë të arrijnë një fitore bindëse, që do të forconte pozitat në tabelë dhe do të rriste më shumë besimin para sfidave të zjarrit që vijnë me pas, siç janë ato me Elbasanin dhe Partizanin.
SALI – Në ndeshjen e nesërme pritet që Dinamo të zbresë në fushë pak a shumë me të njëjtin formacion që ka luajtur në derbin me Tiranën dhe së fundi me Egnatian. Mund të ketë ndonjë ndryshim të vogël, siç është porta, ku pritet të kthehet titullar Edmir Sali, i cili ka munguar dy ndeshjet e fundit. Vlonjati pësoi një dëmtim muskulor në stërvitje para derbit me Tiranën dhe shkoi në Serbi për një trajtim special.
Ai ishte në dispozicion të stafit teknik edhe kundër Egnatias, por ndoshta për të mos rrezikuar trajneri Daja vazhdoi me Teqjan, i cili ka pësuar 1 gol në 18 minuta aktivizim. Kundër Bylisit pritet që kuadratin e portës blu ta mbrojë “gardiani” vlonjat, titullar në 8 ndeshje.
TË TJERËT – Pjesa tjetër e skuadrës për ndeshjen e nesërme pritet të jetë po ajo. Gasama Karamba pritet që të ketë sërish një fanellë titullari në mesfushë, ku kandidat i fortë është tashmë edhe Klevi Qefalija, i cili po kap formën optimale.
Edhe nëse ky i fundit nuk e nis nga minuta e parë, me siguri do të marrë më shumë minuta nga trajneri Daja. Në sulm, Mandela, Bregu dhe Zabërgja janë të padiskutueshëm. Sulmuesi afrikan nuk ka shënuar në ndeshjet e fundit dhe nesër do të ketë një rast të mirë për të rigjetur golin. Mungesat e Dinamos në ndeshjen e kësaj javë janë dy qendërmbrojtësit Hoxha dhe Muzek, që janë të dëmtuar.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"