Dinamo, pa modifikime në transfertën me Bylisin/ Ja situata te blutë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 21, 2024 | 20:01

Dinamo, pa modifikime në transfertën me Bylisin/ Ja situata te blutë

Pavarësisht asaj çfarë skuadra mund të japë në fushë, në fund kanë rëndësi pikët dhe humbja e javës së parë la një shije të hidhur te Dinamo. Rezervat për gjykimin gjithashtu nuk është se e justifikojnë rezultatin, ashtu si dhe mungesat që skuadra blu kishte në atë ndeshje.

Dinamo

Vëmendja e kryeqytetasve tani ka kaluar te sfida me Bylisin në transfertë, ku së paku duhet shmangur një tjetër disfatë. Për hir të së vërtetës, Dinamo dha disa sinjale pozitive në “Elbasan Arena”, por sërish mbetet një skuadër e brishtë, që humbet me shumë lehtësi edhe kur nuk ka presion të madh nga kundërshtari. Skuadra doli në stërvitje një ditë pas ndeshjes, dje u la pushim nga trajneri Mehmeti, ndërsa sot do t’i rikthehet fushës për të nisur përgatitjet anti-Bylis.

PA MODIFIKIME – Kundër Egnatias ranë në sy disa spostime në formacionin e Dinamos. Tre lojtarë, konkretisht Dita, Muzek dhe Lorran, kishin ndërruar vendin me njëri-tjetrin. Asnjëri prej tyre nuk mundi të jepte atë që duhej në rolin e ri, Dita si qendërmbrojtës, Muzek si mbrojtës i majtë dhe Lorran si mesfushor.

U duke një modifikim formacioni jo efikas dhe këtë gjë e vërteton edhe rezultati final. Për ndeshjen e radhës me Bylisin pritet që blutë të “heqin dorë” nga modifikimet, me tre lojtarët e përmendur më sipër që pritet të luajnë në rolet e tyre natyrale. Një plus për stafin teknik të Dinamos për transfertën ballshiote pritet të jetë rikthimi i Zabërgjës në gjendjen e tij optimale, si dhe zgjidhja e çështjes së Bregut, si cili do të jetë një alternativë më shumë.

QEFALIJA – Mungesa e vetme e 18 herë kampionëve të vendit në ndeshjen e radhës mund të jetë mesfushori Klevi Qefalija, i cili ka pësuar një dëmtim në kavilje para ndeshjes me Egnatian. Stafi mjekësor po monitoron situatën me këtë futbollist, por me shumë gjasa ai nuk do të rrezikohet dhe pritet që të jetë në dispozicion për ndeshjen e javës së tretë. Drejtuesit e Dinamos ndërkohë vazhdojnë punën në merkato dhe deri më 31 gusht skuadrës pritet që t’i bashkohen së paku 3 lojtarë, por ende nuk ka emra konkretë.

F.RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"