Disha vazhdon, Gjyla e Preknicaj shpallin “divorcin”. Lushnja si kantier, ka edhe afrime e rinovime

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 30, 2024 | 22:11

Disha vazhdon, Gjyla e Preknicaj shpallin “divorcin”. Lushnja si kantier, ka edhe afrime e rinovime

Java e re stërvitore e Lushnjës ishte menduar se do të niste nga Erseka, por zhvendosja në juglindje është shtyrë për nesër. Kështu që lushnjarët vijojnë të përgatiten në kushtet e shtëpisë. Mesjava e gjen skuadrën e trajnerit Gugash Magani në Ersekë, ku do të jenë të grumbulluar për rreth dy javë.

roland disha lushnja

Në qytetin juglindor lushnjarët do të zhvillojnë fazën themelore përgatitore. Për momentin Lushnja i ngjan një kantieri të hapur, pasi ka afrime, largime, rinovime dhe lojtarë në provë. Deri tani te Lushnja janë afruar dhe kanë firmosur Fjoralb Deliaj dhe Albi Xhabrahimi. Gjithashtu, kanë rinovuar edhe një pjesë e futbollistëve të sezonit të kaluar. Ndër ta është edhe qendërmbrojtësi Roland Disha. Në një prononcim për “Panorama Sport”, 25-vjeçari në lidhje me rinovimin u shpreh:

“Me Lushnjën do të vazhdoj edhe në sezonin e ri, pasi ramë dakord për rinovimin. Për këtë gjë më bindi stafi teknik dhe drejtuesit e klubit. U binda edhe për projektin që kanë për sezonin që na pret. Uroj që të jetë vërtetë një projekt serioz. Deri tani përgatitjet po shkojnë mjaft mirë. Po stërvitemi çdo ditë me ngarkesë për të pasur një gjendje të mirë fizike dhe uroj që ekipi të kompletohet. Deri tani janë afruar disa  lojtarë, por pritet të vijnë edhe të tjerë futbollistë. Uroj dhe shpresoj për një  ekip serioz dhe Lushnja të arrijë objektivat”.

Largimet- Nga Lushnja është larguar sulmuesi shkodran Kristjan Preknicaj. 22-vjeçari nuk do të rinojë dhe ka konfirmuar ndërkohë largimin. “U largova nga Lushnja. I uroj më të mirat për të ardhmen. Kam kaluar mirë dhe tifozët më kanë dashur. Ndaj, Lushnjës i uroj suksese”, u shpreh Preknicaj. Gazeta ka mësuar se edhe sulmuesi 32- vjeçar Ervis Gjyla nuk do të rinovojë më me Lushnjën, gjë të cilën e ka konfirmuar vetë lojtari. “Nuk do të rinovoj me Lushnjën. Jam lojtar i lirë dhe jam duke shqyrtuar disa oferta”, tha Gjyla.

Kristi Joti- Lushnja është në fazën e kompletimit të organikës dhe klubi pret disa përforcime. Njëri prej tyre mendohet të jetë mesfushori Kristi Joti, i cili pasi e ka mbyllur aventurën me Valbonën pritet të vishet verdhejeshil. Joti ka luajtur me disa ekipe, mes tyre edhe Kukësi në Superiore.

ALBAN ALUSHI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"