Dita-Aliji, dyshja e improvizuar që po bind/ Mehmeti, gati për “Nëndetësen”
Në mungesë të Hoxhës dhe Muzek, të dy të dëmtuar, trajneri Ilir Daja ka preferuar që në qendër të mbrojtjes të aktivizojë dy lojtarë që nuk i përkasin këtij reparti, Bruno Ditën dhe Naser Alijin. Numri 1 i stolit blu ka preferuar eksperiencën e këtyre dy lojtarëve para dy qendërmbrojtësve të tjerë që ka në organikë, si Rufati dhe Miço.
Dhe zgjedhja e tij ka rezultuar e drejtë, të paktën deri tani. Kjo dyshe ka funksionuar mirë në ndeshjet që ka luajtur javët e fundit, ku Dinamo ka pësuar vetëm 2 gola nga Egnatia me penallti dhe nga Bylisi. Kapiteni Dita në fakt e ka bërë edhe më parë këtë rol, edhe pse është një mesfushor qendre, kurse Aliji, mbrojtës krahu, për herë të parë ka provuar qendrën me fanellën e Dinamos.
Ish-lojtari i Kombëtares ka treguar pjekuri dhe e ka justifikuar më së miri me paraqitjen e tij besimin e trajnerit Daja. Edhe për pak kohë blutë do të vazhdojnë me këtë dyshe qendre, pasi lojtarët e dëmtuar duan ende kohë që të rikthehen në dispozicion të stafit teknik.
Adnard Mehmeti përbën lajmin e mirë te “Demat”, pasi në sfidën e shkuar shleu pezullimin e kartonëve dhe do të jetë në gjendje për të zbarkuar në fushë në betejën e së shtunës kundër Dinamos.
Rikthimi i tij limiton jo pak dëmet në mesfushë, në një situatë kur Ismaili dhe Taipi janë të dëmtuar dhe mund të mungojnë në sfidën e radhës.
Në këtë situatë pritet që reparti të pësojë ndryshime. Mehmeti dhe Rrapaj konsiderohen si të palëvizshëm, teksa mbetet për tu parë emri i tretë në formacion, ku Shanaj apo Kote do të luftojnë për një vend. Në mbrojtje Hadroj është në dyshim edhe mund të zëvendësohet nga Bytyçi ose Osmallari, teksa në sulm pritet rikthimi i Mba në majë.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"