“Do japim jetën në finale”, Devolli pas mrekullisë së Kukësit në Kupë: Erdhi momenti im, ndonjë ditë do na plasë zemra
Bledar Devolli ka qenë shumë i emocionuar pasi arriti me Kukësin e fundit të tabelës në Superiore, që të shkonte në finalen e Kupës së Shqipërisë. Ai premtoi betejë edhe në finale, me një skuadër e cila është gati të sfidojë këdo pasi eliminoi Tiranën.
“Jam i lumtur për djemtë se e di që kanë vuajtur gjithë vitin. Jam i lumtur për klubin, për veten, se më në fund erdhi dita, se kam vuajtur shumë unë e familja për të ardhur kjo dit. Por me punë arrihet gjithçka.
Në pjesën e parë patëm pak probleme se Tirana luante 3-5-2, ne 4-3-3. I morëm masat në pjesën ë dytë dhe luajtëm si ata dhe patëm mundësi për të barazuar ndeshjen. Por ky është futbolli që do na plasi zemra në ndonjë nga këto ditë.
Finalja? Në një ndeshje teke, do japim jetën në fushë. Nuk kam frikë nga këto djem, e keni parë në këtë periudhë. Edhe sot dhanë shpirtin. Nuk më intereson kush është në finale.
Kemi punuar me shumë seriozitet, entuziazëm. Gjëja kryesore që kemi futur në ekip është pozitiviteti. Kemi më shumë harmoni me njëri-tjetrin. Nëse i ke këto, ky është sport kolektiv, pa punën a disiplinën e harmoninë nuk shkon asgjëkund. I kemi bërë bashkë dhe ja ku janë frytet e punës”, tha Devolli për “MCN” pas ndeshjes.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"