Do të jetë e vështirë me Burrelin, bëjmë gjithçka për të fituar”. Lushnja e pëson në fund, Xhafa: Është çështje fati
Trajneri i Lushnjës, Erion Xhafa, në një intervistë për “Panorama Sport”, tha se është çështje fati që skuadra e tij është ndëshkuar në shtesat e lojës dhe nuk po merr pikë jashtë shtëpisë, pasi me futboll ka treguar se mund të përballet me këdo.
Futbolli të mban të karikuar dhe tekniku 38-vjeçar po përgatit skuadrën në një kohë të shkurtër, për ndeshjen me Burrelin. Xhafa vlerësoi kundërshtarin, që renditet i katërti, por tha se skuadra e tij do të bëjë gjithçka për të fituar.
Një paraqitje e mirë e Lushnjës kundër Besës, por pikët në transfertë nuk po duken…
Kemi interpretuar një ndeshje të mirë, ku kemi luftuar dhe luajtur një futboll me kualitet, duke krijuar shumë situata të rrezikshme dhe raste të pastra për gol. Mendoj se meritonim më shumë dhe për këtë më vjen keq për djemtë dhe tifozët. Në 3 transferta, me Flamurtarin, Pogradecin dhe Besën jemi ndëshkuar në fund. Ndaj vlonjatëve pësojmë në minutën e 97-të edhe pse luajtëm mjaft mirë. Në Pogradec u mundëm me një penallti në minutën e 96-të. Nuk bëmë ndeshje të mirë, por ishim afër barazimit. Në transfertën e tretë pësojmë gol në minutën e 93-të me penallti, ku kemi zhvilluar një ndeshje të mirë.
Minutat shtesë po ju ndëshkojnë, pse ndodh kjo?
Ka qenë çështje fati, sepse me futboll kemi treguar se përballemi me këdo. Madje, si të barabartë duke qenë superiorë dhe afër fitores.
Dy penallti dhe një gol i anuluar. A ishin shumë për Lushnjën në përballjen me Besën?
Nuk kam çfarë të them për dy penalltitë dhe golin e anuluar. Loja ka një arbitër dhe ndihmësit e tij, të cilët gjykojnë dhe marrin vendime. Ata vendosën kështu. Nuk më ngel gjë tjetër vetëm të pranoj vendimet e tyre. Pastaj, gjithsecili që ka parë ndeshjen mund të gjykojë vetë.
Kaçanolli dhe Xhabrahimi humbën raste ideale, si e komentoni?
Nuk mërzitem për rastet e humbura. Mërzitem më shumë, nëse ekipi nuk do të krijonte raste. Këtë radhë nuk patëm fat të shënonim, por kam shumë besim te sulmuesit e mi. Jam i lumtur që i kam në skuadër.
Cila është gjendja e Kamisokos? A ka probleme dëmtimi?
Gjendja e Kamisokos është e mirë. Është një lojtar që shpenzon shumë energji gjatë ndeshjes. Duke qenë se i ka luajtur të gjitha dhe në terrene të rënduara, normal që do të kesh ndonjë problem fizik. Është një djalë me karakter dhe besoj se do të jetë gati për të shtunën.
Futbolli të mban të karikuar, si e shikoni ndeshjen me Burrelin?
Ndeshje shumë e vështirë, ndaj një kundërshtari të fortë, i cili po bën një kampionat mjaft të mirë. Prandaj e respektojmë, por ne do të bëjmë gjithçka për ta fituar.
ALBAN ALUSHI- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"