Do të mbahet mend gjithmonë për golin në Portugali, Bekim Balaj tërhiqet nga Kombëtarja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 13, 2024 | 14:06

Do të mbahet mend gjithmonë për golin në Portugali, Bekim Balaj tërhiqet nga Kombëtarja

Bekim Balaj është tërhequr zyrtarisht nga Kombëtarja e Shqipërisë në moshën 33-vjeçare. Sulmuesi shkodran ia ka komunikuar vendimin FSHF-së dhe Silvinjos.

bekim balaj

Gjatë karrierës së tij pati 48 paraqitje me Kombëtaren ku do t’i mbahet mend gjithmonë goli i fitores 1 me 0 në Portugali, i cili dhe i hapi rrugë kualifikimit në Euro 2016.

Njoftimi i FSHF-së:

“Bekim Balaj ka vendosur të tërhiqet nga Kombëtarja shqiptare. Sulmuesi kuqezi, i cili aktivizohet në kampionatin “Abissnet Superiore” me Vllazninë, i ka komunikuar vendimin e tij trajnerit Silvinjo, stafit teknik dhe Federatës së Futbollit.

Gjatë karrierës së tij me Kombëtaren kuqezi, Bekim Balaj, u aktivizua në 48 ndeshje, duke shënuar 9 gola. I pari është edhe më i veçanti, pasi realizimi ndaj Porugalisë dhe fitorja historike e Shqipërisë me golin e Bekim Balajt në “Estádio Municipal de Aveiro” bëri krenar të gjithë shqiptarët kudo në botë, duke i hapur rrugën kualifikimit të parë historik të Kombëtares në Europianin “Francë 2016”. Gjithashtu, Balaj ishte pjesë e Kombëtares në atë Europian ku u aktivizua në fitoren ndaj Rumanisë me rezultatin 1-0.

Federata e Futbollit falënderon sulmuesin Bekim Balaj, për kontributin e jashtëzakonshëm të dhënë në fushën e lojës me fanellën kuqezi, i cili ka lënë një gjurmë të pashlyeshme në historinë e futbollit shqiptar dhe i uron sa më shumë suksese në të ardhmen”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"