Dodaj-Delaj, dy talentet që “djegin” njëri-tjetrin! Sulmuesit anësorë të Vllaznisë po mahnisin këtë fillim sezoni

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 19, 2024 | 22:34

Dodaj-Delaj, dy talentet që “djegin” njëri-tjetrin! Sulmuesit anësorë të Vllaznisë po mahnisin këtë fillim sezoni

Me atë që po tregojnë në fushë në fillim të këtij sezoni, Kevin Dodaj dhe Antonio Delaj fare mirë mund të ishin që të dy titullarë te Vllaznia.MixCollage-19-Sep-2024-10-34-PM-5807Për shkodranët është fat që i kanë në skuadër, por është “mëkat” që dy të rinjtë luajnë në të njëjtin rol. Dodaj dhe Delaj janë të dy sulmues të majtë në rolin e tyre natyral, me të parin që mund të aktivizohet edhe si sulmues qendre. Është vërtet “mëkat”, sepse në këtë moment shumë të mirë që po kalojnë, dy talentet kuqeblu po “djegin” njëri-tjetrin sa i takon aktivizimit në formacion nga trajneri Brdariç.

Gjermani i stolit të Vllaznisë e ka të vështirë të bëjë ndonjë modifikim aktualisht, sepse Balaj dhe Mala gjithashtu po kalojnë një formë shumë të mirë dhe janë të palëvizshëm nga 11-shja e parë. Dy të rinjtë nuk kanë shënuar gol deri tani, por për aq sa kanë qenë në fushë në këto 5 javë, kanë bërë një paraqitje për t’u pasur në konsideratë.

DODAJ – Statusin e titullarit në nisje të kampionatit e ka pasur 19-vjeçari Kevin Dodaj, i cili e zëvendësoi më së miri Grudën në krahun e majtë të sulmit të Vllaznisë. Ai nisi nga minuta e parë ndeshjet me Partizanin, Tiranën dhe Skënderbeun, por te kjo e fundit u ndëshkua me karton të kuq për një ndërhyrje të ashpër të nxituar. Ai karton i mohoi ndeshjen me Egnatian në Shkodër, ndërkohë që u kthye në fushë ndaj Teutës në Durrës, këtë herë si zëvendësues.

DELAJ – Dodaj e nisi nga stoli ndeshjen e fundit pikërisht për shkak të paraqitjes shumë të mirë të Antonio Delajt. Sulmuesi 21-vjeçar shfrytëzoi në mënyrën më të mirë mungesën e shokut të tij në ndeshjen me Egnatian, ku ishte ndër më të mirët në fushë. Për këtë arsye, trajneri Brdariç nuk e lëvizi nga formacioni dhe Delaj bëri mjaft mirë edhe në transfertën durrsake, ku qëndroi në fushë për një orë, për t’ia lënë më pas vendin Dodajt. Me siguri numri 1 i stolit shkodran është vënë në mendime të thella pasi ka parë paraqitjen e dy lojtarëve të rinj. Që ata do të marrin më shumë minuta në vazhdim të kampionatit, nuk ka diskutim, por gjermani duhet të vendosë se cili do të jetë titullar ndeshje pas ndeshjeje dhe se si mund t’i alternojë që këta dy talente të mos “digjen”.

TË TJERËT – Te Vllaznia është diçka shumë e zakonshme aktivizimi i futbollistëve të rinj, pasi kjo skuadër prodhon vazhdimisht talente. Një titullar i rëndësishëm që prej sezonit të kaluar është mesfushori Rejan Alivoda, 21 vjeç, pjesë e Kombëtares Shpresa. Rrugën e tij pritet që ta ndjekin edhe Dodaj e Delaj, por edhe të tjerë lojtarë që klubi kuqeblu i ka afruar në ekipin e parë dhe ka nënshkruar kontratë me ta. Pusi 22 vjeç, Spahija 21 vjeç, apo dhe Jukaj, Halili, Tafili, Brahimi e Zaganjori, të gjithë nga 19 vjeç, janë emra që në një të ardhme të afërt mund të bëhen të rëndësishëm për Vllazninë.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"