Drejton Orelesi, trajneri Pajaziti ikën me urgjencë para ndeshjes. Këlcyra reziston 77 minuta, Apolonia çlirohet në Kupë
Apolonia me “marsh të tretë” në Kupë, edhe pse pak minuta para ndeshjes kryetrajneri u largua në mënyrë të papritur për arsye familjare. Ky ishte dhe konfirmimi që morëm nga vetë trajneri Pajaziti, ndërsa udhëzimet i jepte zëvendëstrajneri Orelesi.
Fierakët fituan pastër dhe bindën në shtëpi, 3-0 në një ndeshje tërësisht të dominuar prej tyre. Takimi është vendosur shumë vonë nga Ndubuisi, Umejiego dhe Rajmond të cilët kanë përshëndetur rrjetën në fundin e pjesës së dytë. Pas kalimit të turit, Apolonia rigjen Burrelin të hënën në “Loni Papuçiu”.
Pjesa e parë– Fierakët do të tregoheshin shumë kërkues që në minutat e para. Në minutën e 7-të, kapiteni Asllanaj vertikalizon saktë topin për Umejiegon, me këtë të fundit që godet përballë portierit, por Anderson grushton. Sërish goditje dënimi për Apoloninë, kroson Trifoni, topi goditet me kokë nga jashtë zonës, prej sulmuesit Umejiego, por Anderson zgjatet dhe devijon me njërën dorë, me topin që prek traversën dhe më pas përfundon jashtë. Pjesa e parë prodhoi shumë raste për gol për Apoloninë, por rrjetat mbetën të paprekura. Nga ana tjetër, Këlcyra doli shumë rrallë përpara.
Pjesa e dytë- Apolonia ka qenë dominuese në lojë, por jo në rezultat sepse i ka munguar goli. Do të ishte minuta e 77-të kur Apolonia do të kalonte në avantazh. Qendërmbrojtësi Ndubuisi gjuan me të djathtën nga jashtë zone duke e dërguar topin në rrjetë dhe 1-0. Ndërsa pas vetëm katër minutash, do të vinte goli i dytë. Çulli kroson në zonë, me topin që përfundon në këmbët e Umejiegos që me një të djathtë të fortë mposht Allmuçën. Dukshëm më të çliruar fierakët, të cilët gjejnë edhe golin e tretë në minutën e parë shtesë. Musa driblon këdo që i del përpara dhe në momentin e fundit kur ndodhet i vetëm përballë Allmuçës asiston perfekt te Rajmond, i cili me portën e boshatisur e ka lojë fëmijësh shënimit e golit. Tre gola, të ardhur shumë vonë, pikërisht në fundin e pjesës së dytë, por që vlejnë kualifikimin në Kupë.
APOLONIA- KËLCYRA 3-0
GOLAT: Ndubuisi 77’, Umejiego 81’, Rajmond 90+1’
APOLONIA: Bushi (Bega 78’), O.Repaj, Ndubuisi, Asllanaj, Kofi, Jasin, Musa, Topi, Kananaj (Çulli 69’), Trifoni, Umejiego (Rajmond 81’). (në dispozicion: Opejemi, Bejzade) Trajner: Nuredin Orelesi
KËLCYRA: Anderson (Allmuça 46’), Sulejmani, Teka, Vidal, Sinani, Borges, Spahiu (Korkuta 46’), Bidika (Gabriel 68’), Montana, Hadaj (Kamilo 46’, Vitor 72’), Xhoel. (në dispozicion: Shele, Duçka, Bilo, Sheme). Trajner: Robert Spahiu
GJYQTARË: K.Hoxha (Gjirokastër), E.Kume (Elbasan), E.Kapxhiu (Durrës)
DELEGATI: Astrit Isai (Peqin)
VËZHGUES: Arjan Mali (Patos)
KARTONË TË VERDHË: Teka 16’, Sinani 29’, Bidika 52’
Ndubuisi: Fitore tepër e merituar
Mbrojtësi Ndubuisi pas ndeshjes për gazetën u shpreh: “I kishim dhënë rëndësinë e duhur këtij turi të parë sepse synonim kualifikimin më tej në Kupë. Është kompeticioni i dytë për nga rëndësia, por kjo nuk do të thotë gjë, aq më pak t’i nënvlerësonim kundërshtarët. E merituam plotësisht. Jam i lumtur për golin e shënuar dhe njëherazi për kualifikimin, që na jep edhe një lloj çlirimi në kampionat”, thotë ai.
HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"