Drejtori analizon punën e skuadrës vorake në 20 javë kampionat. Tragaj: Para Superiores, Vora ka tri objektiva
Vora arriti t’i merrte barazimin Besës, për të ruajtur diferencën me këtë rival që tashmë është 8 pikë larg. Gjithsesi, ajo po ndien edhe kërcënimin e vlonjatëve që kërkojnë t’i marrin vendin e parë. Vora përveç ngjitjes në Superiore synon të shpallet kampione e kësaj kategorie.
E për të arritur këto dy synime madhore, për drejtorin sportive Bazjon Tragaj ka ende kohë për të festuar, përderisa skuadra nuk ka arritur që ta sigurojë edhe matematikisht. Drejtori Tragaj për “Panorama Sport” shprehet se grupi i ka të gjithë mundësitë. “Ky barazim me kavajasit, nuk na ka gëzuar shumë, pasi ne kërkonim tri pikët. Megjithatë, edhe ky barazim është i pranueshëm, pasi kemi arritur të ruajmë diferencën me këtë rival. Kampionati është ende i gjatë dhe më shumë se një e treta e tij është për t’u zhvilluar. Kjo na bën më të përgjegjshëm për të ruajtur ritmin, distancën me rivalët dhe nuk na lejohen hapa falsë, nëse duam të arrijmë objektivat tona, që klubi i vuri vetes që në fillim të sezonit.
Dikur në prag të nisjes të këtij kampionati, ne përcaktuam objektivat tona që ishin tri. Ecuria sa më larg në Kupën e Shqipërisë, ngjitja në Superiore dhe shpallja kampion e kësaj kategorie, por shumica ishin skeptik dhe nuk e besonin. Tani ne jemi të parët në klasifikim. Kaluam tri ture të Kupës dhe shpresojmë deri në fund që të bëjmë realitet edhe shpalljen kampion. Për ne asgjë nuk ka mbaruar. Kemi shumë ndeshje përpara dhe vetëm kur të sigurohemi matematikisht ne do të festojmë. Nuk duhet të jemi euforikë, por të qëndrojmë me këmbë në tokë”, mbylli Bazjon Tragaj.
ABDULLA DUSHKU- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"