Drejtuesit e klubeve tona, një arsye e dështimeve në seri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 29, 2024 | 21:35

Drejtuesit e klubeve tona, një arsye e dështimeve në seri

Një organizatë, sado mirë e dizenjuar apo e financuar të jetë, është po aq e mirë dhe e fortë sa njerëzit që punojnë në të. Ky definicion, sa mund të vlejë për çdo organizatë biznesi apo institucion publik e privat, po aq vlen edhe për klubet e futbollit. Objektivi kryesor i klubeve të futbollit mbetet fitimi i ndeshjeve. Suksesi sportiv është në zemër të çdo klubi, është vetë arsyeja e ekzistencës së tyre që nga gjeneza. Megjithatë, në ditët e sotme biznesi i futbollit është zgjeruar në mënyrë eksponenciale, duke kërkuar që mirëmenaxhimi i të gjithë komponentëve të një klubi të jetë jetik për garantimin e qëndrueshmërisë në kohë. Kjo vlen jo vetëm për suksesin sportiv të një klubi, por edhe në sigurimin e eficencës dhe stabilitetit të tij financiar.

tirana partizani

STRUKTURA E KLUBEVE – Sa i përket organizimit të klubeve të futbollit në vendin tonë, vihet re se në përgjithësi ato karakterizohen nga mungesa e strukturave të qarta organizative dhe shpeshherë ndërtohen në mënyrë të improvizuar, me njerëz që nuk janë profesionistë të mirëfilltë të fushës dhe kanë njohuri dhe eksperiencë të kufizuar për drejtimin e një klubi futbolli. Jo në pak raste funksionet e rëndësishme teknike mbahen nga individë që janë të evidentuar kryesisht si opinionistë sportiv në ndonjë studio televizive, gazetarë sportiv apo dhe ndonjë menaxher lojtarësh.

DREJTUES JASHTË ROLI – Për hir të shembullit, le të marrim figurën e drejtorit sportiv të një klubi futbolli, si rol kryesor në garantimin e suksesit sportiv të një klubi. Si rregull, njerëzit që përzgjidhen për të mbajtur pozicionin e drejtorit sportiv të një klubi, mund të kenë qenë ish-futbollist, individë që kanë punuar në struktura rekrutimi talentesh ose struktura administrative të një klubi, mund të kenë qenë drejtues të lartë në sporte të tjera apo edhe ish-trajnerë. Ndër detyrat kryesore të drejtorit sportiv janë që të zbatojë politikën e transferimeve të klubit duke identifikuar tregjet në të cilat klubi do të jetë aktiv dhe duke vendosur kriteret e përzgjedhjes së elementëve të rinj; të analizojë pikat e forta dhe të dobëta ekzistuese të skuadrës së bashku me trajnerin ekipit të parë; të lehtësojë transferimet duke identifikuar objektivat specifike të transfertave në të cilat klubi synon të fokusohet përmes kontakteve dhe negociatave me lojtarët, klubet dhe palët e tjera të interesuara.

S’KA PROFESIONISTË – Për sa u paraqit më lart, duke qenë se figura e drejtorit sportiv të një klubi është mjaft e rëndësishme, klubet moderne po orientohen drejt kandidaturave që të kenë minimalisht arsimin formal, qoftë ai akademik apo teknik, i cili mund të ofrohet nga shoqatat, federatat apo ligat vendase. Në përgjithësi, programet arsimore të ofruara, bien dakord që drejtorët sportiv kërkojnë të kenë një nivel të mirë të aftësive teknike dhe të aftësive në fusha të tilla si identifikimi i talenteve, njohuri rreth jurisprudencës sportive, aftësi negociuese dhe lidership. Në tregun aktual në Shqipëri është mjaft e rrallë të identifikohet një figure e tillë, që të përmbledhë të gjithë kriteret e mësipërme, kjo për faktin se edhe trajnimet për këtë pozicion janë të kufizuara.

NDRYSHIME ME SHUMICË – Kjo mungesë e profesionistëve të mirëfilltë në treg, si dhe paqartësia në strukturat organizative të klubeve, detyron presidentet e klubeve që të ndërmarrin ndryshime të vazhdueshme të drejtuesve, duke krijuar paqëndrueshmëri, pa arritur që të krijojnë një filozofi. Ka përpjekje për të kopjuar (shpeshherë edhe keq kopjuar) modele të strukturave të klubeve të ndryshme evropiane, por është e pamundur. Filozofia ndërtohet nga eksperienca e akumuluar ndër vite duke u bazuar në mënyrë të ndërthurur në sukseset dhe në menaxhimin e krizave që ka kaluar një klub futbolli. Të ndodhura në këto kushte, natyrisht që është pamundur që të krijohet një strategji e qartë afatmesme apo afatgjatë, me fokus shumë-planësh, si në aktivitetin sportiv të klubit, aktivitetin tregtar të tij, marrëdhëniet me komunitetin, etj.

ÇFARË DUHET – Megjithëse investimet dhe sakrificat personale të presidentëve të klubeve kanë qenë të jashtëzakonshme dhe meritojnë vlerësim nga i gjithë komuniteti i futbollit, për shkak të mungesës së një filozofie të qartë dhe të shtrirë në kohë, sukseset e arritura nga klube të caktuara kanë qenë sporadike dhe me luhatje të mëdha. Në këtë kuptim, përcaktimi i një strukture të qartë organizative, përzgjedhja me kujdes e njerëzve, veçanërisht të stafit drejtues, duke vendosur kritere të qarta që korrespondojnë saktësisht me kërkesat e pozicionit përkatës të punës, trajnimi i vazhdueshëm dhe mbështetja në një strategji të mirëmenduar, janë hapa që garantojnë qëndrueshmërinë dhe më tej suksesin e një klubi futbolli.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"