Drejtuesit u “tërheqin veshin” lojtarëve. Kukësi, koha për të shkundur ekipin para sfidës me Lushnjën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 23, 2024 | 14:45

Drejtuesit u “tërheqin veshin” lojtarëve. Kukësi, koha për të shkundur ekipin para sfidës me Lushnjën

Humbja e fundit në shtëpi përballë Kastriotit, erdhi në një moment kur në Kukës po prisnin të riktheheshin te rezultatet pozitive, pas disfatës në Pogradec. Një humbje që ka lënë të pakënaqur klubin, duke vënë nën shënjestër disa prej lojtarëve që nuk kanë qenë brenda pritshmërive të duhura.

kukesi

Mësohet se drejtuesit pritet të bëjnë një mbledhje për të “shkundur” skuadrën dhe të kërkojnë menjëherë kthesën në rezultate. Ndonëse për momentin nuk flitet për ndonjë masë, por thjesht për “tërheqje veshi”. Ndeshjen e radhës Kukësi do ta ketë sërish me një rival të të njëjtit nivel, si Lushnja, dhe nëse nuk bëhet kthesa sa më parë, atëherë nuk përjashtohen as masat ndaj lojtarëve të veçantë. Kritik me skuadrën ishte edhe vetë trajneri Emiljano Çela, që e shprehu qartë pakënaqësinë e tij ndaj disa lojtarëve.

Edhe pse Kukësi u ndërtua praktikisht vetëm javën e fundit para nisjes së kampionatit, në përbërje ka disa elemente cilësore që bashkuar me djemtë e rinj, që me kalimin e javëve shpresohej ta merrnin veten. Mirëpo, dy ndeshjet e fundit që konsideroheshin si të rëndësishme për të bërë një hap të sigurt drejt pjesës lart të klasifikimit, për fat të keq u humbën dhe Kukësi nuk mori dot asnjë pikë. Kuptohet që synimi i verilindorëve në këtë edicion është të paktën sigurimi i mbijetesës, që sigurisht nuk mund të konsiderohet si një mision i lehtë, pasi Kategoria e Parë ka mjaft skuadra të forta.

VLADIMIR MEMA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"