“Duhet të rritem edhe unë”, Ibra: Rashford bën diferencën, Serxho ka sjellë karakter
Merkato, rezultate, rinovim dhe çdo gjë tjetër që lidhet me Milanin. Temat marrin përgjigje nga Zlatan Ibrahimoviç, njeriu që përfaqëson fondin “RedBird” brenda Milanit. Në vijim edhe deklaratat e suedezit.
Për çfarë jeni krenar si drejtuesi dhe çfarë nuk do të bënit përsëri?
Te Milani punojmë si një ekip, çdo vendim merret si ekip. Secili ka përgjegjësitë e veta. Çdo ditë që kalon për mua është një përvojë e re. Iu bashkova një klubi ku presioni është maksimal, gjë që më pëlqen. Nuk kam frikë nga këto sfida, jam i karikuar dhe i përulur. Jam i vetëdijshëm se duhet të rritem, si gjithë të tjerët.
E prisnit këtë ndikim nga Konseisao? Jeni penduar që nuk e keni afruar më herët?
E synonim një reagim, për të shkundur skuadrën me ndryshimin e trajnerit. Ekipi ka pranuar mënyrën e punës së trajnerit të ri dhe kjo është e rëndësishme.
Tani është e rëndësishme të fillojmë të marrim fitore në kampionat pasi përndryshe në fund të sezonit Superkupa do të vlejë më pak. Kur bëni zgjedhje, duhet të besoni në zgjedhjet që bëni. Deri në janar ishim pas në mbështetje të Fonsekës, por nuk pati vazhdimësi dhe bëmë një ndryshim.
Më mirë Fonseka apo Konseisao?
Zgjedhja që bëmë me Fonsekën në atë kohë ishte zgjedhja e duhur dhe ajo në të cilën ne besuam. Koha ka kaluar, rezultatet nuk kanë ardhur dhe e falënderojmë për atë që ka bërë me respektin më të madh. Ajo që ne kërkuam te Serxho është karakteri dhe personaliteti.
A keni firmosur rinovimin e Teo Hernandezit?
Jemi shumë të kënaqur me të, të kënaqur me atë që po bën. Është e qartë se ai duhet të vazhdojë si gjithë të tjerët, ai është i lumtur që është te Milani. Ai dëshiron të luajë në këtë klub si gjithë të tjerët dhe nuk ka asgjë të komplikuar. Gjithçka është nën kontroll.
Milani do të marrë Rashfordin, a është konfirmuar? Keni folur me lojtarin për ta bindur?
E njoh shumë mirë Rashfordin, kam luajtur me të. Tani ai është burrë, është konfirmuar si një futbollist i madh. Ai është një lojtar i Mançesterit, nuk e di nëse duhet shumë për ta bindur atë, ne jemi një nga klubet më të rëndësishme në botë, të gjithë duan të luajnë për Milanin. Është një operacion i vështirë, nuk kemi folur ende.
Çfarë roli mund të luajë Rashford?
Ai mund të luajë në të majtë, në mes dhe në të djathtë, ai mund të bëjë diferencën në të gjitha pozicionet.
Sa nevojë ka Milani për afrime të reja?
Nuk është aq e nevojshme. E dëshmuam në Arabinë Saudite se ekipi është i kompletuar dhe mund të fitojë. Tregu është i hapur, shohim mundësitë dhe jemi vigjilentë. Por nuk është se jemi të dëshpëruar, le të shohim çfarë do të ndodhë.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"