Duel ndaj surprizës së sezonit, Mareska: Sekreti i Çelsit është të jesh i sinqertë me lojtarët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 28, 2024 | 9:38

Duel ndaj surprizës së sezonit, Mareska: Sekreti i Çelsit është të jesh i sinqertë me lojtarët

Çelsi përgatitet për të pritur Brajtonin e pamposhtur të Fabian Hyrcelerit në “Stamford Bridge” sot. Një fitore për Blutë do të ishte e treta radhazi në kampionat, pasi mundi Bornmëthin dhe Uest Hemin, dhe e katërta në të gjitha kompeticionet.

mareska

Hyrceler, 31 vjeç, i cili është trajneri më i ri me kohë të plotë në historinë e Premier Ligës, ka fituar admirimin e trajnerit të Çelsit, Enco Mareska, përpara përballjes së tyre. “Ai po bën një punë fantastike, kam parë disa nga ndeshjet e tij vitin e kaluar në ekipin tjetër në Gjermani (St Paulin) dhe mund ta shoh qartë idenë e tij”, tha Mareska. “Kur i bashkohesh një klubi ku trajneri i mëparshëm luante pak a shumë në të njëjtën mënyrë, kjo të ndihmon shumë. Miku im i madh Roberto De Zerbi ishte aty, kështu që ai po vazhdon këtë stil dhe po ndihmon shumë”.

Mareska këmbënguli se sinqeriteti është politika më e mirë kur bëhet fjalë për të mbajtur të lumtur skuadrën e tij. Trajneri italian bëri 11 ndryshime në fitoren 5-0 në “Carabao Cup” ndaj Berrout të martën, ku Kristofer Nkunku shënoi tregolëshin e tij të parë për klubin. Megjithatë, Mareska ka preferuar Nikolas Xheksonin si sulmuesin e tij titullar në pesë ndeshjet e tij të para të kampionatit. Xhekson ishte në qendër të triumfit 3-0 të Bluve ndaj Uest Hemit javën e kaluar, me sulmuesin që shënoi dy gola dhe asistoi Palmerin për të tretin.

Menaxheri italian beson se mbajtja e diskutimeve të sinqerta me lojtarë si Nkunku është çelësi për të mbajtur moralin e ekipit të lartë. “Unë jam i sinqertë me Nkunkunë dhe me të gjithë ata. E kam thënë shumë herë që nga dita e parë që nuk mund të luajmë me shtatë apo tetë lojtarë sulmues pasi nuk ka ekuilibër në mbrojtje. Në këtë moment, Xhekson luajti herën e fundit në Premier Ligë dhe shënoi dy gola, Kristofer luajti një ditë tjetër dhe shënoi tre, kjo është mirë. Është e rëndësishme që ata të konkurrojnë me njëri-tjetrin”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"