Dueli i të rënëve, Kukësi i falet golit të Beshirajt. Kryebashkiaku Halilaj bekon verilindorët dhe premton mbështetje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 26, 2024 | 14:20

Dueli i të rënëve, Kukësi i falet golit të Beshirajt. Kryebashkiaku Halilaj bekon verilindorët dhe premton mbështetje

Kukësi e nis me këmbën e mbarë Kategorinë e Parë, duke mundur në shifrat 1-0 Erzenin. Mjaftoi goli i Mario Beshirajt për t’i dhënë tri pikët skuadrës së Ilir Spahiut, i cili duket se ia ka dalë të “mbledhë” grupin në vetëm pak ditë stërvitje.

KUKESI

Para startit të ndeshjes në “Kukës Arena”, ekipi ka marrë edhe bekimin e kryebashkiakut Albert Halilaj, i cili takoi skuadrën në dhomat e zhveshjes dhe premtoi mbështetjen e tij karshi klubit, duke u uruar rikthimin sa më parë në elitë. Në këtë ndeshje, nuk munguan as tifozët e Kukësit, që iu bashkuan thirrjes së klubit për të ndjekur nga afër skuadrën e tyre.

NDESHJA – Përballë vinin dy ekipet e sapo-rëna nga Superiorja dhe që i nisën përgatitjet shumë vonë në krahasim me rivalët. Ky fakt u ndie që në fillimin e sfidës, e cila ishte e qetë, me të dyja skuadrat që mundoheshin më shumë të qarkullonin topin dhe mos ndërmarrë inkursione të rrezikshme në portat respektive. Gjithsesi, të dy ekipet u munduan të japin shkëndijat e para nëpërmjet goditjeve të ndaluara, por pa ia dalë dot që të ndëshkojnë. Përpos përpjekjeve nga të dyja ekipet në fushë, fraksioni i parë i lojës do të mbyllej me rrjeta të paprekura. Në të dytën, Bespalla largon Skënderajn për Kortez, ndërsa Spahiu u beson titullarëve të pjesës së parë, edhe për faktin se më herët ka bërë një zëvendësim të detyruar.

Loja ka gjallëri dhe nuk mungon dëshira në fushë për të ndryshuar shifrat, por goli i vetëm erdhi në minutën e 78-të. Sulmuesi Mario Beshiraj që bëhet heroi i Kukësit, duke i kaluar në avantazh. Pasi merr një asist në qendër të zonës, i shkëputet mbrojtjes dhe i vetëm me portierin nuk e ka të vështirë ta ndalë në rrjetë. Miqtë bëjnë përpjekje për të shkuar te goli i barazimit, por nuk ia dalin dot, duke mos marrë asnjë pikë në këtë transfertë. Blutë koleksionojnë kështu një fitore që vlen edhe për moralin, duke treguar kanë forca për t’u ringritur nga gjendja e vështirë ku ndodheshin pak javë më parë.

KUKËSI – ERZENI 1 – 0 

GOLI: Beshiraj 78′

KUKËSI: Dervishaj, Momoh, E. Murati (Hilaj 23′), Peposhi 92′), Sulçe, Lamellari, Jusuf, Kapllanaj, Ouen (Metani 74′), Hasaj, Beshiraj, Birçe;(Në dispozicion: Nova, N. Murati, Danaj). Trajner: Ilir Spahiu

 

ERZENI: Dema, Baruti, Shani, Radovani (Lajthia 65′), Gjoni, Zaimaj, Xheka (Bespalla 55′), Skënderaj (Kortez 46′), Hodo, Ferreira, Oulare (Duraku 73′);(Në dispozicion: Arevalo). Trajner: Justin Bespalla

 

Kartonë të verdhë: Hasaj 38′, Hilaj 77′, Beshiraj 90’/ Skënderaj 45′, Shani 90′

Gjyqtarë: K. Prenga (Laç), A. Shkreta, Xh. Rroshi (Tiranë)

Vëzhgues: Gjergj Selala (Laç)

Delegat: Arbër Kalemi (Durrës)

 

VLADIMIR MEMA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"