Dueli me Valbonën, trajneri Emiljano Çela: I rëndësishëm për Kukësin, ja çfarë pres nga merkatoja
Kukësi është gati për ndeshjen e radhës, atë me Valbonën që do të luhet sot, ora 13:30 në “Kukës Arena”. Një duel direkt, që për ekipin e drejtuar nga Emiljano Çela vlen më shumë se tri pikë, pasi do t’i largohej edhe më shumë dy vendeve të fundit.
Në prononcimin e tij për “Panorama Sport”, trajneri Çela e cilëson si një ndeshje të rëndësishme, ku pretendojnë fitoren. Ai i gëzohet edhe rikthimeve në këtë përballje, por do të mungojë vetë në drejtim.
“Është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne në prag të këtij fundviti. Vijmë pas pesë takimesh shumë të mira dhe ekipi gëzon formë optimale. Në këto kushte, pretendojmë tri pikët brenda dhe është logjike ta fitojmë këtë ndeshje që luhet në stadiumin tonë dhe para tifozëve tanë. Rikthimet na shtojnë alternativat për sisteme të ndryshme gjatë lojës. Njëkohësisht, edhe për alternativa të ndryshme në stol që mund ta ndryshojnë lojën për mirë në çdo moment”, u shpreh fillimisht trajneri Çela për “Panorama Sport”.
Në lidhje me mungesën e tij në pankinë, ai pohon se i vjen keq, por ka besim te krahu i tij i djathtë, Bekim Kuli.
“Më vjen shumë keq që nuk do jem në stol, sepse janë dy ndeshje shumë të rëndësishme. Megjithatë, mos harroni se do të jetë në stol Bekim Kuli, një figurë shumë e rëndësishme e futbollit shqiptar dhe krahu im i djathtë për më shumë se pesë vite. Djemtë e duan dhe e respektojnë, ndaj jam i sigurt që me të do të ndihen akoma edhe më të lirshëm, për vetë marrëdhënien e afërt që ai mban me lojtarët”, pohoi trajneri i verilindorëve.
Merkato hapet pas dy javësh dhe Çela i ka idetë e qarta edhe në këtë aspekt, ku tregon bisedën me drejtuesit. “Kam biseduar me drejtuesit e klubit. Ata e dinë nivelin e lojtarëve që unë kërkoj, pozicionet ku kemi nevojë si përforcime të rëndësishme, por edhe të rrisë konkurrencën brenda ekipit”, mbylli prononcimin e tij për gazetën trajneri i Kukësit.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"