Dueli ndaj Bylisit, Rashica karikon Skënderbeun: Duhet reagim me çdo kusht të dielën
Skënderbeu ka detyrim fitoren në ndeshjen e rashës në kampionat për ballë Bylisit në shtëpi. Një ndeshje që vlen më shumë se tre pikë për korçarët që nuk duhet të lenë kundërshtarin më të afërt tu largohet në luftën kundër rënies nga kategoria. Ndaj në kushte të tilla bëhet fjalë për një ndeshje që vlen shumë më shumë se një ndeshje radhe.
SULMUESI- Bindjen e kthimit tek rezultati pozitiv e kanë të gjithë në Korçë madje edhe vetë grupi i lojtarëve që pas tetë javësh pa fitore mendojnë se kjo është java e duhur. I këtij mendimi është edhe Ermir Rashica, i cili në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport” ka bërë me dije qartësisht se kjo ndeshje duhet të fitohet me çdo kusht.
Ndaj edhe për këtë kërkon nga ekipi i tij përqendrim maksimal dhe impenjim total për të arritur objektivin kryesor të ekipit. “Jemi në një pozicion jo të mirë dhe në një periudhë jo të mirë rezultatesh ndaj na duhet reagimi me çdo kusht. Kemi një ndeshje të vështirë përballë një kundërshtari direkt siç është Bylisi, që ndodhet para nesh me pikë. Duhet të kemi një përqendrim maksimal, pasi do të ishte mëkat nëse do të linim pikë në një ndeshje direkte.
Jemi të vetëdijshëm për këtë dhe ekipi ka qenë i përqendruar këto ditë vetëm tek ky objektiv. Trajneri na ka motivuar dhe na ka kërkuar të mendojmë për fushën e lojës pa parë asgjë tjetër. Ndaj na takon ne lojtarëve që të bëjmë lëvizjen tonë tani.
Jemi të bindur se do të jetë një ndeshje e fortë, por i kemi cilësitë për të dalë me tre pikët. Luajmë në fushën tonë dhe i detyrohemi tifozerisë një rezultat të mirë. Nuk jemi në momentin më të mirë por është koha që të ndryshojmë kurs dhe të sjellim rezultatet e mira ato që i shkojnë përshtat këtij ekipi. Kemi punuar fort dhe jam i bindur se do ia dalim”, theksoi Ermir Rashica.
MUNGESAT – Përveç Ardit Nikajt që do të kthehet vetëm në 2025, korçarët do të kenë edhe mungesën e sigurt të Dokës i cili është i pezulluar për shkak të kartonit të kuq të marrë në ndeshjen ndaj Egnatias. Kapiteni Prençi edhe pse ka javë që është rikuperuar nuk është ende gati për të nisur ndeshjen nga minuta e parë, teksa e njëjta gjë vlen edhe për Jurin dhe Balajn që kanë pasur shqetësime fizike gjatë këtyre ditëve.
Kjo e bën akoma edhe më të vështirë situatën për Gjokën që duhet të shpresojë në rikuperim të plotë të lojtarëve me probleme fizike deri të shtunën kur do të luajë përballjen direkte në Korçë ndaj Bylisit.
LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"