Dueli ndaj Skënderbeut, Meksi: Dinamo nuk gabon dy herë radhazi
Pak ditë pas barazimit 1-1 në kampionat, Dinamo ndeshet nesër përsëri me Skënderbeun për Kupën e Shqipërisë dhe synon vetëm fitoren për ta pasur më të lehtë kualifikimin në sfidën e kthimit. Por nuk do të jetë e lehtë dhe kjo u pa të shtunën e kaluar, kur korçarët i hapën jo pak probleme skuadrës së trajnerit Ilir Daja.
Për më tepër, blutë vazhdojnë të vuajnë disa mungesa të rëndësishme këtë periudhë, siç janë ato të portierit Sali, kapitenit Dita, apo edhe sulmuesit Mandela e ndonjë tjetër. Me ekipin janë bashkuar tashmë mesfushorët Toli dhe Karamba, të cilët pritet të grumbullohen për sfidën e nesërme, por mbetet për t’u parë nëse do të luajnë titullarë apo jo. Ngjeshja e ndeshjeve mund të imponojë një lloj rotacioni, por 18 herë kampionët e vendit kanë zgjedhje të kufizuara aktualisht.
MEKSI – Mbrojtësi i djathtë i Dinamos, Jorgo Meksi, në një prononcim për “Panorama Sport”, së pari shpreh keqardhjen për faktin që në derbin me Partizanin dhe së fundi me Skënderbeun nuk janë marrë pikët maksimale: “Është për të ardhur keq realisht, sepse kanë qenë dy ndeshje, që mund dhe duhej t’i kishim fituar për atë çfarë kemi dhënë në fushë ndaj Partizanit dhe ndaj Skënderbeut.
Sidomos me Partizanin, ku ai gol i pësuar në kohën shtesë, na hoqi fitoren nga duart. Edhe me Skënderbeun patëm mundësitë tona për të shkuar te fitorja. U ndëshkuam nga një gabim që bëmë. Ndoshta ndikuan edhe mungesat që kishim, sepse ishin shumë lojtarë, jo një apo dy.
Barazuam dhe mund të shënonim më shumë se një gol, por tani ajo ndeshje ka kaluar dhe duhet të përqendrohemi tek ajo që vjen përpara”.
KUPA – Titullari i Dinamos thekson më tej se ndeshja e nesërme me korçarët në Kupë ndryshon nga ajo e kampionatit. Meksi shprehet se Dinamo ka të njëjtat ambicie si në kampionat, ashtu edhe në Kupë. “Ndeshjet me Skënderbeun në kaq pak ditë janë ndryshe nga njëra-tjetra. Në kampionat luhet për tri pikët, në Kupë luhet për kualifikimin dhe janë dy ndeshje.
Ne duhet të kthehemi patjetër te fitorja, nuk mund të gabojmë dy herë radhazi. Në këtë moment kemi nevojë për një fitore, që do të na kthente në rrjedhën e mëparshme të sezonit. Shpresojmë që të kemi gati lojtarët që kanë pasur dëmtime, por nuk ka justifikime. Duhet vetëm fitorja që ta kemi më të lehtë kualifikimin pastaj në Korçë.
Skënderbeu meriton respekt, por Dinamo është një emër i madh dhe kërkon më të mirë në çdo aktivitet që merr pjesë. Kemi një skuadër të mirë dhe duhet të rritemi akoma më shumë, sepse akoma nuk kemi shkuar aty ku pretendohet dhe ku vërtet janë mundësitë”, ka thënë Meksi për gazetën. Ai do të mungojë ndaj Teutës në kampionat për shkak kartonësh, ndërsa nesër me siguri do të jetë në fushë nga minuta e parë.
FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"