Dueli Red Bull-Ferrari dhe risitë, F1 gati për start! Botërori 2024 ndez motorët këtë fundjavë në Bahrejn

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 28, 2024 | 10:36

Dueli Red Bull-Ferrari dhe risitë, F1 gati për start! Botërori 2024 ndez motorët këtë fundjavë në Bahrejn

Pritja po mbaron! Formula 1 do të ndezë zyrtarisht të shtunën motorët në Sakhir për t’i dhënë jetë sezonit të ri, teksa Botërori 2024 do të startojë këtë të shtunë me Çmimin e Madh të Bahrejnit.

WhatsApp Image 2024-02-28 at 09.47.34

Një kampionat i shumëpritur që i sheh ekipet, mbi të gjitha Ferrarin, me shpresën për të thyer hegjemoninë e superfuqisë Red Bull. Një sezon që do të jetë me kalendar rekord, ndërsa pilotë të shumtë janë në skadencë kontrate në fund të vitit. Në këtë speciale do të analizojmë disa prej temave kyçe të Botërorit 2024 në F1.

RED BULL, SKUADRA PËR T’U MUNDUR Dimri tani ka mbaruar, të paktën në botën e automobilizmit. Gjatë kësaj fundjave, të shtunën për të qenë të saktë, do të luhet në Bahrejn raundi i parë dhe i shumëpritur si gjithmonë i sezonit të ri në Formula 1. Kurioziteti i madh është të shihet nëse Red Bull do të jetë ende skuadra që duhet mposhtur, ndërsa tifozët e Ferrarit, gjithashtu edhe të Mercedesit, shpresojnë që diferenca me kampionët nga Milton Keynes të jetë më në fund e reduktuar. Natyrisht, “Liberty Media”, kompania që kontrollon Formulën 1 e shpreson diçka të tillë, sepse nëse në vitin 2021 Botërori kishte ndoshta finalen më emocionuese të parë ndonjëherë, në vitet 2022 dhe 2023 makinat Red Bull të Maks Vershtapenit e “vranë” garën. Madje, vitin e kaluar piloti holandez fitoi 19 nga 22 gara, ndërsa dy triumfe të tjera mbajtën emrin e shokut të skuadrës, Serxho Perezit. I vetmi sukses jashtë Red Bullit në sezonin që lamë ishte fitorja e Ferrarit me Karlos Sainzin në Singapor. Në Botërorin 2024 skuadrat por edhe të apasionuarit e Formulës 1 nuk duan të shikojnë sërish të njëjtin skenarë. Por duke marrë gjithmonë në konsideratë, ashtu sikurse na kujtoi edhe Fernando Alonso në testet e para të sezonit, ky lloj dominimi është brutaliteti i këtij sporti.

DUELI RED BULL-FERRARI Është ky dueli më i pritur dhe i ëndërruar nga tifozët e Formula 1 në të gjithë botën dhe ndoshta ai i përcaktuar edhe nga vlerat e shfaqura në pistë në testet e para sezonale në Bahrejn. Koha më e mirë finale e tre ditëve të testimit u vendos nga Ferrari, por të gjithë analistët në “paddock” bien dakord dhe konsiderojnë makinën Red Bull RB20 edhe më të mirë se ajo që dominoi në sezonin e kaluar. Tani do të jetë pista ajo që do të japë verdiktin. Në shtëpinë e kampionëve, çështja Kristian Horner është në qendër të vëmendjes, me drejtuesin në hetim të brendshëm për “sjellje të papërshtatshme” ndaj një punonjëse të skuadrës, një akuzë që mund t’i kushtojë atij vendin e punës dhe që sigurisht nuk kontribuon në qetësinë e ekipit. Horner, drejtori i skuadrës, është ai që e ka udhëhequr ekipin në fitimin e 6 kampionateve botërore për konstruktorë dhe të 7 titujve për pilotë. Kështu që një largim i mundshëm i tij, nuk “shaka” për Red Bullin. Nga ana tjetër te Ferrari sezoni fillon me Karlos Sainzin të ndarë në shtëpi, i vetëdijshëm se duhet të gjejë një ekip në vitin 2025, sepse në vend të tij siç dihet “Cavallino” ka zgjedhur Luis Hamiltonin. Me pak fjalë, në të dyja dy skuderitë kryesore, ekzistojnë dy të panjohura të rëndësishme.

SUPER KALENDAR ME 24 GP Botërori që do të fillojë do të shënojë një sezon rekordesh në Formula 1, pasi ai do të jetë më i gjati i mbajtur ndonjëherë, me 24 gara në 21 shtete. Në 2024-ën nuk shfaqen lokacione të reja, por bien në sy dy “kthime”: Kina rikthehet në kalendar pas pauzës së gjatë të lidhur me “Covid”-in, ndërsa Emilia Romanja rikthehet pas anulimit të vitit 2023 për shkak të përmbytjeve. Las Vegasi, i cili u kthye në kalendar vitin e kaluar, ruan vendin e tij si gara e së shtunës, së bashku me Bahrejnin dhe Arabia Saudite, që gjithashtu do të garojnë të shtunën duke akorduar ngjarjen sportive me muajin e shenjtë mysliman të Ramazanit. Natyrisht, gjatësia e kalendarit ka sjellë edhe debate, teksa kampioni i botës Maks Vershtapen së fundmi deklaroi se 24 gara janë “shumë”, ndërsa Lando Norris u shpreh se numri ideal i garave do të ishte 20.

GARAT SPRINT, NDRYSHIMET Gjithashtu në vitin 2024, si vitin e kaluar, do të zhvillohen 6 gara Sprint: ato do të jenë Kina, Majemi, Austria, Shtetet e Bashkuara, Brazili dhe Katari. Për Kinën dhe Majemin kjo do të jetë hera e parë që presin garën Sprint. Risia tashmë është paralajmërimi i ndryshimit të formatit për fundjavën e Çmimeve të Mëdha. Objektivi i F1 është “një përditësim i formatit për të racionalizuar më tej fundjavën duke ndarë eventet e Sprintit nga ato të Garës së Madhe”. E përkthyer në terma konkretë? Një plan po studiohet për të zhvendosur kualifikueset për Sprintin të premteve dhe për të mbajtur garën Sprint të shtunën para kualifikuese për Çmimin e Madh. Ky ndryshim në format do të zyrtarizohet përpara fillimit të sezonit.

TË NJËJTAT EKIPE DHE PILOTË, POR… A ka ndryshuar diçka me ekipet dhe pilotët? Po dhe jo. Edhe në këtë rast po flasim për një situatë kurioze. Për herë të parë në historinë e Formulës 1, gara e parë e sezonit të ri do të ketë të njëjtin formacion pilotësh si gara e fundit e kampionatit të mëparshëm. Megjithatë, dy pilotë e dinë tashmë se në vitin 2025 nuk do të garojnë ku do të nisin në vitin 2024, ata janë Luis Hamilton dhe Karlos Sainz. Më tej, edhe pse janë të njëjtat skuadra si në vitin 2023, dy prej tyre kanë ndryshuar emrat. Alfa Romeo është kthyer në emrin e saj origjinal: Sauber, ndërsa ajo do të quhet zyrtarisht “Stake F1 Team Kick Sauber”. Gjithashtu skuadra satelite e Red Bullit, AlphaTauri, ka ndryshuar emrin e saj në “Visa Cash App RB”, e cila do të njihet si “Racing Bulls” ose “RB”.

SITUATA ME KUFIZIMIN E BUXHETIT Edhe këtë vit është në fuqi kufiri i buxhetit (“budget cap”), kufiri maksimal i kostos, i prezantuar në vitin 2021, i cili kufizon shumën që një skuadër mund të shpenzojë për makinën e saj brenda një sezoni sportiv. Në vitin 2022, të gjitha skuadrat e respektuan kufirin, pasi Red Bull u gjet me shkelje në sezonin 2021 për shpenzime të tepërta, shkelje që i kushtoi një gjobë prej 7 milionë dollarësh. Kufiri i kostos për vitin 2023 ishte 135 milionë dollarë, shifër që mbetet e njëjtë edhe për vitin 2024, ashtu edhe për vitin 2025. Ndërsa më parë, buxheti ishte 140 milionë dollarë për vitin 2022 dhe 145 milionë dollarë për vitin 2021.

MERKATO E NXEHTË E PILOTËVE – Nuk mund të mohohet që ky do të jetë një sezon shumë i nxehtë për merkaton e pilotëve, ndërsa gjithçka u hap disa javë më parë me transferimin e bujshëm të Luis Hamiltonit te Ferrari për vitin 2025. Por duhet të përgatitemi për goditje të tjera, sepse ka shumë pilotë që u mbarojnë kontratat në fund të këtij sezoni. Ata janë Serxho Perez (Red Bull), Karlos Sainz (Ferrari), Esteban Okon dhe Pierre Gasli (Alpine), Zhu Guaniu dhe Valteri Botas (Sauber), Fernando Alonso (Aston Martin), Niko Hulkenberg dhe Kevin Magnusen (Haas), Iuki Tsunoda dhe Daniel Rikardo (RB), Aleks Albon dhe Logan Sarxhent (Uilliams). Lans Stroll është një kapitull më vete: duke qenë se babai i tij është pronar i ekipit, situata e tij kontraktuale nuk është e krahasueshme me të kolegëve pilotë. Sharl Lëklerk sapo ka rinovuar një kontratë afatgjatë me Ferrarin, ku do t’i bashkohet Hamilton, ndërsa Xhorxh Rasëll, Lando Norris dhe Oskar Piastri kanë kontrata që zgjasin përtej 2024 me Mercedesin dhe MekLarenin.

200

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"