Duhet thyer tersi, Elbasani dështon në përballjet me zonën e “Final 4”
Elbasani ndodhet në situatën ku i nevojiten patjetër pikët për të mbajtur gjallë shpresat për të shpëtuar sezonin dhe siguruar një vend në “Final 4”. Çdo javë që kalon dhe verdheblutë nuk fitojnë, ndërsa rivalët mbi ta bëjnë më mirë, i largon edhe më shumë djemtë e Ivan Gvozdenoviç nga katërshja.
Ky fakt bën që presioni të rritet, në një kohë që ndeshja e nesërme me Partizanin sjell mbylljen e dy fazave të para të kampionatit apo gjysmës së tij. Për këtë arsye, verdhebluve u bëjnë punë vetëm tri pikët në kryeqytet, që të paktën të mbajnë diferencën në minus shtatë pikë nga vendi i katërt.
Mirëpo, para ndeshjes me të kuqtë shifrat nuk janë aspak në favor të tyre, ku ka dalë në pah problemi i marrjes së pikëve me ata që i konsideron si rivalë direkt. Një fitore me Partizanin thyen një mallkim, por njëkohësisht rikthen edhe shpresën tek Elbasani.
RIVALËT – “Panorama Sport” i ka bërë një vëzhgim përballjeve të Elbasanit me ekipet e katërshes së parë. Bie në sy që në shtatë takimet e zhvilluara deri më tani me Egnatian, Partizanin, Dinamon dhe Vllazninë, verdheblutë nuk kanë fituar dot asnjë. Bëhet fjalë për vetëm tre barazime dhe katër humbje.
Praktikisht, nga 21 pikë në lojë, elbasanasit kanë marrë vetëm tre, duke qëndruar shumë më mbrapa në krahasim me ekipet që janë në kreun e klasifikimit. Janë pikërisht këto rezultate me rivalët direktë që e kanë lënë pas Elbasanin në renditje dhe të krijojë një shkëputje jo të vogël me ta.
SHANSI I FUNDIT – Edhe pse mbeten për t’u luajtur ende edhe dy faza të tjera kampionat, mund të thuhet se Elbasani luan shansin e fundit për të kapur “trenin” që të dërgon në “Final 4” dhe i jep mundësinë të jenë në garë për titullin kampion. Një tjetër humbje apo qoftë edhe barazim, do të kompromentonte shumë objektivat dhe verdheblutë do të fillonin të ndienin rrezikun nga poshtë renditjes.
Një situatë që në klub nuk e mendonin para nisjes së këtij edicioni dhe javëve të para, ku duket se rezultatet ishin të kënaqshme. Për këtë arsye, verdheblutë udhëtojnë drejt Tiranës me synimin e vetëm për të dalë me tri pikë, ndonëse përballë do të kenë një nga ekipet më të mira të këtij edicioni. Në ndeshjen e parë në “Elbasan Arena”, u iku fitorja për pak, duke kujtuar atë gol të anuluar në fund dhe pretendimin për 11-metërsh që nuk e patën në favor të tyre.
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"