“Duket dora e Gvozdenoviçit”, ish-trajneri File: Elbasani ka ndryshuar “fytyrë”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 17, 2025 | 23:37

“Duket dora e Gvozdenoviçit”, ish-trajneri File: Elbasani ka ndryshuar “fytyrë”

Elbasani duket se ka gjetur ritmin e duhur pas fitoreve të fundit në kampionat dhe avancimit në çerekfinale të Kupës së Shqipërisë. Këtë fakt e evidenton në një intervistë për “Panorama Sport” ish-trajneri i kësaj skuadre, Ilirjan File. Ai vlerëson punën që po bën trajneri Gvozdenoviç, që sipas tij, ka gjetur harmoninë dhe njëkohësisht po u jep hapësirë lojtarëve që më herët nuk aktivizoheshin.

FILE

File sheh me optimizëm edhe dy afrimet e reja që janë përshtatur menjëherë, ndërsa shpreson që prurjet që përfliten të jenë po të këtij niveli. Në fund ai ka besim se me Dinamon do të jetë histori tjetër nga dy ndeshjet e kaluara. Për Filen, “Final 4” dhe Kupa janë objektiva të arritshëm.

File, si e keni parë Elbasanin në këtë fillim viti?

Mund të them se skuadra ka kapur ritmin e duhur dhe jo më kot ka marrë edhe rezultate pozitive. Është një ogur i mirë për vazhdimësinë.

E prisnit këtë nisje të Elbasanit?

E prisja, sepse nuk është rastësore. Me uljen në stol të trajnerit Ivan Gvozdenoviç skuadra ka treguar një tjetër fytyrë. Luan mirë, prodhon dhe ajo që është më e rëndësishmja, fiton. Sinjalet u dhanë që në fund të vitit të kaluar dhe frytet po shihen tani, me trajnerin që ka pasur pak më shumë kohë në dispozicion të implementojë idetë e tij.

Ku duket konkretisht dora e trajnerit?

Ka ndryshuar mënyrën e të luajturit. Ka harmoni mes lojtarëve dhe u ka gjetur atyre pozicionet e duhura në ekip. Ndërron skemën edhe gjatë ndeshjes, çka tregon se e lexon mirë lojën dhe lëvizjet i kanë dhënë rezultat. Po shohim se po aktivizon edhe lojtarë që nuk janë preferuar më herët, edhe pse kanë qenë aty.

Po dy afrimet e reja që janë bërë në merkaton e dimrit, si ju duken?

Kanë cilësi dhe për ta kuptuar ndonjëherë mjafton qoftë edhe vetëm një ndeshje. Mesfushori shoh se është përshtatur mjaft mirë me skuadrën, po ashtu edhe mbrojtësi. Janë futbollistë që mund t’i bëjnë shumë punë Elbasanit. Thuhet se presin edhe dy afrime të reja dhe kështu mendoj se Elbasani kompletohet në të gjitha repartet dhe do të jetë një ekip konkurrues.

Këtë javë luan me Dinamon, që e ka mundur dy herë këtë sezon. Si e mendoni përballjen kësaj radhe?

Ne themi shpesh që çdo ndeshje ka historinë e saj dhe ato dy humbje i përkasin arkivit. Mendoj se do të jetë ndryshe kësaj here, sepse Elbasani vjen në një formë të mirë dhe me më shumë besim në aftësitë e veta. Mjafton të tregohet pak më i kujdesshëm dhe besoj se këtë herë fitorja mund t’i përkasë atij.

Një opinion për garën e “Final 4” dhe Kupën e Shqipërisë?

Elbasani i ka mundësitë të luftojë në të dy frontet. E thashë më herët që ekipi ka kapur ritmin e duhur dhe duhet ta shfrytëzojë këtë moment për të grumbulluar sa më shumë pikë në kampionat. Sa i përket Kupës, ka një specifikë tjetër, por mund t’i shkojë deri në fund me pak kujdes dhe fat, kur të ketë ndeshjet.

V. MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"