Dumfur: Jemi të bllokuar, të vjetrit të ndryshojnë situatën
Skënderbeu po kalon një moment të vështirë në kampionat. Pas dy fazash të luajtura në Superiore, korçarët e shohin veten në vendin e fundit në klasifikim të parakaluar edhe nga Bylisi, duke u ndodhur në një moment te vështirë përsa i përket qëndrimit në Superiore.
Në kushte të tilla ajo që ka më shumë rëndësi është reagimi, diçka që në Korçë nuk ndodh prej tetë javësh. Gati një fazë pa fitore është shumë delikate për bardhekuqtë që kanë zbritur në fund të klasifikimit. Edhe ndryshimi i pankinës nuk ka dhënë shkundjen e duhur teksa nën drejtimin e Gjokës korçarët kanë vetëm një pikë me një barazim dhe një humbje.
KAPITENI – Për kapitenin momental, Randi Dumfur, kjo situatë vjen për shkak të një bllokimi të përgjithshëm kryesisht psikologjik për korçarët. Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, Randi tregoi situatën e vështirë që po kalon Skënderbeu dhe atë që po i pengon korçarët që të kalojnë këtë moment.
“Kemi shumë javë që jemi në një ngërç të vërtetë psikologjik dhe kjo është gjëja që na pengon më shumë për momentin. Tetë ndeshje pa fitore janë shumë dhe ekipi ka pasur një bllokim të përgjithshëm në këtë pikë. Është diçka që duket në çdo ndeshje pasi nuk po dalim dot në lojën tonë dhe ndjejmë vështirësi në menaxhimin e çdo ndeshjeje. Edhe pas ndryshimeve të fundit në klub në drejtimin e ekipit kemi pasur vështirësi jo në përgatitje por në menaxhimin e presionit dhe të stresit.
Jemi të bllokuar si grup dhe kjo është diçka jo e mirë. Për të mos thënë që është mënyra më e keqe që mund të qasesh në një sezon. Ndaj edhe për këtë mendoj se duhet te jetë një përgjegjësi më e madhe e ne që kemi më shumë eksperiencë në këtë klub. Na takon në lojtarëve të vjetër që të nxjerrim grupin nga ky presion dhe kjo vorbull negativiteti që na ka përfshirë. Është e vërtetë që kemi shumë lojtarë të rinj që e kanë të vështirë të menaxhojnë presionin por duhet të jemi si vjet një grup i bashkuar dhe ne të ndihmojmë më shumë.
Tani është koha të mendojmë për ndeshjen e radhës në kampionat pasi do të jetë shumë e rëndësishme. Luajmë dy ndeshje në fushën tonë dhe le ta shfrytëzojmë më së miri këtë moment. Është koha që të lemë pas çdo presion dhe krizë dhe të shohim vetëm fushën e lojës. Kemi filluar të hyjmë në mentalitetin e trajnerit Gjoka dhe ky ndryshim do kohë por duhet të japim sinjalet e para të reagimit dhe ky është momenti i duhur. Çdo pikë e humbur na penalizon ndaj le të mundohemi të marrim më të mirën”, theksoi Randi Dumfur, i graduar kapiten në ndeshjet e fundit.
Për korçarët ndeshja e radhës ndaj Bylisit shihet si një finale e parakohshme e sezonit që do të kushtonte shtrenjtë nëse nuk do të dilnin me pikët maksimale nga ky takim.
LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"