“E barabartë, episodet do të përcaktojnë fatin e takimit”, Perja: Lushnja ka ndryshuar, por Besa ia del sërish

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 20, 2024 | 11:32

“E barabartë, episodet do të përcaktojnë fatin e takimit”, Perja: Lushnja ka ndryshuar, por Besa ia del sërish

Prova e së vërtetës për Besën e trajnerit Mirel Josa vjen shumë shpejt, madje që nesër ku në “Roza Haxhiu” përballen me Lushnjën e drejtuar nga ish-trajneri i verdhezinjëve, Gugash Magani. Lushnja e këtij edicioni është komplet ndryshe nga ajo skuadrës që kemi parë në tre sezonet e shkuara në Kategorinë e Parë.

perja besa

Këtë e tregon edhe fitorja e derbit myzeqar javën e shkuar, duke rritur pritshmëritë nga ky grup. Këtë vlerësim ka edhe ish-kapiteni i Besës, Skedjan Perja, që në javët e para nuk ka gjetur hapësirat që do, për shkak të konkurrencës së krijuar te kavajasit. “Në 3 vitet e fundit, Lushnja ka qenë në ethet e mbijetesës, por konstatoj se këtë sezon ka ndryshuar për mirë. Pavarësisht se janë javët e para të kampionatit, fitorja në Fier dëshmon ndryshimin e lushnjarëve. Në fakt, të dy klubet kanë marrëdhënie të shkëlqyera e po ashtu dy tifozeritë. Mjafton t’u kujtoj, se Besa gjithnjë preferon lagunarët për miqësore. Po miq kemi qenë e do jemi, por në fushë secili ka objektivin e vet.

Tashmë të dy ekipet, si Besa ashtu dhe Lushnja takohen në pozita të tjera”, u shpreh fillimisht Perja për “Panorama Sport”. Besa i ka fituar dy transferta e para të këtij sezoni me të njëjtin rezultat, 0-2, në Tropojë dhe Pogradec. Kjo gjë kërkohet edhe nesër në Lushnjë. “Kemi fituar 2 takimet e para transfertë, por ndaj Lushnjë puna ndryshon. Do kemi përballë një ekip që ka ambiciet e veta dhe do të kërkojë të na dhurojë humbjen e parë. Përballë do ketë një Besë, që ndryshe nga 10 vitet e fundit, ka në përbërje futbollistë që dinë të menaxhojnë çdo situatë. Gjykoj se do të jetë një ndeshje e fortë, e barabartë dhe do jenë episodet e veçanta që do përcaktojnë fatin e takimit. Uroj e shpresoj që të jemi cinikë, pragmatistë dhe nëse arrijmë të shënojmë shpejt, gjërat do jenë në favorin tonë. Besa do të futet në fushë, si në çdo ndeshje këtë sezon, për të marrë maksimumin”, tha Perja.

FERIZ FERIZAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"