E bujshme/ Juventusi në sulm për Sandro Tonalin, ish-mesfushori i Milanit mund të rikthehet në Serinë A
“Sa afrime do të bëjmë në merkaton e jan arit në mbrojtje? Le ta nisim me një”. Kështu u shpreh Kristiano Xhuntoli për mikrofonin e Mediaset në prag të sfidës ndaj Kaljarit në Kupën e Italisë.Nga kjo deklaratë, pika e referimit që Xhuntoli jep është se Juventusi do të punojë fuqishëm për të mbushur hapësirat e lëna bosh nga dëmtimet e rënda të Bremer dhe Kabal. Megjithatë, ai nuk përjashtoi mundësi të reja që mund të dalin gjatë janarit dhe një prej emrave që po përflitet dhe po merr shumë vëmendje është Sandro Tonali. Emri i ish-mesfushorit të Milanit ka dalë si një rrufe në qiell të hapur, por mediat italiane po raportojnë se Xhuntoli po e vlerëson si një pistë konkrete për të përforcuar mesfushën. Emri i tij ka dalë në një takim ditën e hënë që Xhuntoli ka bërë me Stefanelin, përgjegjësin e skautëve të “Zonjës”, në një bisedë për profilin ideal që Motës i duhet në mesfushë.
SITUATA- Tonali po gjen gjithnjë e më pak hapësira te Njukasëlli dhe është i hapur për një rikthim në Serinë A. Duke qenë se është një tifoz i Milanit, Tonali do të dëshironte të kthehej sërish në Milano, por dera duket e mbyllur. Klubi tjetër i interesuar është Interi, por Tonali është kategorikisht kundër kësaj lëvizjeje. Në skenë qëndron vetëm Juventusi nga Italia, por edhe në këtë situatë ka një problem. Njukasëlli shpenzoi 64 milionë euro për ta blerë nga Milani, ndërsa për ta lënë të lirë dëshiron të paktën 50 milionë euro. Këtu futen në lojë lojtarët e sakrifikueshëm, por edhe një surprizë.
TË SAKRIFIKUARIT- Nikolo Faxholi është emri i parë që Juventusi pritet të sakrifikojë nëse futet seriozisht në garë për Tonalin. Nga mesfushori, Xhuntoli kërkon të përfitojë rreth 25-30 milionë euro që do të financonin për afrimin e Tonalit. Në skenë ka dalë dhe një tjetër emër që mund të sakrifikohet. As më pak dhe as më shumë, por vetë Kenan Jildiz. Sipas “Corriere dello Sport”, turku nuk është i paprekshëm. Ai vlerësohet rreth 40 milionë euro, por megjithatë, gjasat që të sakrifikohet nuk janë të larta. Megjithatë, Xhuntoli po studion terrenin dhe pret të bëjë takimet e tij për të parë mundësinë e transferimit të Tonalit në Torino.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"