“E gëlltitëm 1 vit helmin e Realit, na thanë s’keni karakter”, Guardiola bën 100: 3 ndeshje larg tripletës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 19, 2023 | 21:12

“E gëlltitëm 1 vit helmin e Realit, na thanë s’keni karakter”, Guardiola bën 100: 3 ndeshje larg tripletës

Një tjetër ndeshje, një tjetër rekord, këtë herë për trajnerin Pep Guardiola. Triumfi në gjysmëfinalen e Championsit kundër Realit në “Etihad” të mërkurën e bëri katalanasin trajnerin që arrin më shpejt 100 fitoret në Champions.

Guardiola5

Katalanasit i janë dashur vetëm 159 ndeshje në kompeticion për të arritur këtë shifër jubilare, më shpejt sesa rekordmeni i mëparshëm, Karlo Ançeloti, të cilit iu deshën 180 ndeshje për të arritur 100 fitoret. Në fakt, Guardiola është vetëm trajneri i tretë që e arrin këtë shifër, bashkë me Sër Aleks Fergusonin, i pari që fitoi 100 ndeshje pas 184 takimesh.

Guardiola ka fituar 47 nga 74 ndeshjet e tij me Mançester Sitin në këtë turne me një përqindje fitoreje 64%. Në këtë kohë, skuadra ka shënuar 174 gola dhe pësuar vetëm 75. Përpara se të vinte në “Etihad”, ai kishte regjistruar 30 fitore me Barcelonën dhe 23 me Bajernin. “Tani jemi në finale dhe lojtarët mund ta imagjinojnë atë.

Jemi tri ndeshje larg tripletës, një ndeshje për çdo kompeticion. Mund t’ia dalim. Duhet të fitojmë një ndeshje më shumë në Premier Ligë dhe pastaj kemi finalen me fqinjët tanë në Kupë dhe një finale në Champions kundër një skuadre italiane. Kënaqësia që të jemi atje dhe luajmë kundër Interit është e pallogaritshme dhe ne do ta shijojmë. Por ne duhet të mbyllim Premier Ligën sa më shpejt që të jetë e mundur dhe pastaj përgatitemi për Junajtidin dhe Interin. Ne jemi një ndeshje larg tre titujve radhazi dhe tani kemi arritur në dy finale në Champions dhe një gjysmëfinale në tri sezone. Niveli i kësaj skuadre është i pabesueshëm.

Është shumë e vështirë që në epokën moderne të bësh atë që ka bërë kjo skuadër. Këto ditët e fundit kemi qenë shumë të qetë dhe mezi e kemi pritur këtë ndeshje. Në 15 minutat e para ndjeva të gjithë dhimbjen e sezonit. Ne duhet të gëlltisnim helmin, të gëlltisnim gjithçka nga sezoni i shkuar. Kështu që kur në short doli Reali, unë u gëzova. Sporti të jep shansin për hakmarrje dhe ne ishim mjaftueshëm me fat për ta shfrytëzuar atë.

trajneret

Na u desh të dëgjonim që na mungon karakteri. Kur shkon në finalen e Champions-it duhet të festosh. Fatkeqësisht nuk do të kemi kohë, sepse të dielën mund të fitojmë Premier Ligën. Të enjten do të jemi me familjet tona dhe përgatitemi për të dielën. Një finale kundër një skuadre italiane nuk është dhurata më e mirë, sinqerisht. Ata janë konkurrues. Kjo fitore do të pasojë me shumë komplimente, por ne kemi kohë që të përgatitemi psikologjikisht”, tha Guardiola.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"