“E kam mbyllur përfundimisht, ndonëse më kërkuan të vazhdoj”. Mërgjyshi nuk bën prapa, Apolonia kërkon trajner

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 24, 2024 | 11:40

“E kam mbyllur përfundimisht, ndonëse më kërkuan të vazhdoj”. Mërgjyshi nuk bën prapa, Apolonia kërkon trajner

Apolonia po kalon një moment jo të mirë në këtë fillim sezoni në Kategorinë e Parë. Pas pesë ndeshjesh të luajtura, fierakët kanë sigluar vetëm një fitore, një barazim dhe tri humbje, që e kanë zbritur në zonën “e ftohtë” të renditjes, pikërisht në vendin e 10-të, por me barazim pikësh me vendin e parafundit. 

MERGJYSHI

Kjo situatë, duket se po reflektohet javë pas jave, pasi Apolonia pësoi humbjen e dytë radhazi në kampionat, por këtë herë kundër Flamurtarit në Vlorë, me rezultatin 3-1. Ishte një takim që u zgjidh shumë lehtë dhe shpejt nga ana e vlonjatëve, duke shënuar një gol në pjesën e parë dhe dy gola të tjerë në pjesën e dytë, për të hipotekuar fitoren dhe marrë tri pikët. Nga ana tjetër, fierakët bënë pak për të mos thënë aspak në këtë takim. Shënuan një gol në minutën e 85-të me anë të sulmuesit të rikthyer, Erald Maksuti, i cili shërbeu thjesht për statistikë.

Dorëheqja e Mërgjyshit

Humbjet “djegin” gjithmonë, veçanërisht kur vijnë ndaj rivalëve direkt. Disfata e tretë në kampionat, brenda pesë javëve, ka sjellë dorëheqjen e parevokueshme të trajnerit Artan Mërgjyshi. Ky i fundit ka marrë përgjegjësitë, jo vetëm për humbjen e fundit, por në tërësi për fillimin e vështirë të sezonit. I kontaktuar sërish nga “Panorama Sport”, trajneri Artan Mërgjyshi ka deklaruar shkurtimisht:

“Po e kam mbyllur përfundimisht me Apoloninë, ndonëse më kërkuan të vazhdoj punën.” Burime të “Panorama Sport” pohojnë se drejtuesit më të lartë fierakë kanë dashur vijimin e punës, pavarësisht mungesës së theksuar të rezultateve. Mirëpo, nuk është i këtij mendimi Artan Mërgjyshi, i cili ka vendosur të largohet përfundimisht nga Apolonia. Dorëheqja e tij është e parevokueshme, ndonëse kishte ende besimin e drejtuesve të lartë të klubit.

Drejtimi i ekipit

Kësaj situate të vështirë i shtohet edhe një hall, që nuk është i lehtë për t’u zgjidhur, trajneri i parë. Megjithatë, zgjedhja e tij do të marrë kohën e nevojshme, edhe si pasojë e momentit. Ekipi pritet të drejtohet në mënyrë të përkohshme nga Maringlen Kule dhe Nikolin Çoçlli, të cilët janë trajnerë në akademinë fierake, pikërisht të grupmoshave U-17 dhe U-19. Avantazhi i tyre i madh është se ata e njohin shumë mirë ekipin, ambientin, por edhe Kategorinë e Parë.

I pari e ka drejtuar më herët Apoloninë, po në Kategorinë e Parë, ndërsa i dyti ka drejtuar më parë Luftëtarin e Gjirokastrës dhe Besëlidhjen e Lezhës, por edhe Partizanin. Dje skuadra ishte lënë pushim dhe pritet të dalë sot në mesditë për të nisur javën anti-Besë. Sikur mos të mos mjaftonte strati negativ dhe dorëheqja e trajnerit Mërgjyshi, në këtë moment Apolonia ka kundër edhe kalendarin.

HILMI SALIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"