E KRYER/ Arinaldo Rrapaj shitet te Kolos në Ukrainë, Partizani mbush xhepat
Arinaldo Rrapaj dje luajti derbin e fundit.
“Panorama Sport” mëson se Partizani dhe klubi i Kolos Kovalivka gjatë fundjavës kanë mbyllur me sukses negociatat për transferimin e mesfushorit vlonjat. Siç gazeta e pati raportuar, ukrainasit kanë shfaqur interes këmbëngulës për 23-vjeçarin, çka edhe ka bërë që operacioni të finalizohet në një kohë kaq të shpejtë.
Partizani do të arkëtojë afro 600 mijë euro nga ky operacion, duke përfshirë edhe bonuset, teksa klubi i kuq ruan 20% të kartonit në rast rishitjeje nga ukrainasit. Vetë Rrapaj pritet të firmosë një kontratë për tri sezone e gjysmë.
Me shitjen e Rrapajt, Partizani pritet të ekzekutojë transferimin e dytë më të madh në historinë e klubit, pas Skukës (1.4 milionë euro). Për një shifër të përafërt u përfol se u shit edhe Matondo, por për kongolezin klubi nuk ka mbajtur asnjë përqindje të kartonit. Kolos renditet në vendin e 12-të nga 16 skuadra në total, teksa në elitën e futbollit ukrainas numëron gjashtë vite.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"