E pazakontë! Futbollisti meksikan barazoi rekord botëror në goleadën e Flamurtarit: Ëndërroj kombëtaren

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 18, 2024 | 23:50

E pazakontë! Futbollisti meksikan barazoi rekord botëror në goleadën e Flamurtarit: Ëndërroj kombëtaren

Fitorja 15-1 e Flamurtarit përballë Devollit në Kupën e Shqipërisë nuk ka shërbyer vetëm si rekordi i ri futbollit të vendit tonë për fitoren më të thellë në këtë turne. Në këtë ndeshje është barazuar edhe një rekord botëror.

kobian

Autori i kësaj arritje ka qenë futbollisti meksikan i vlonjatëve, Hose Kobian, i cili ka dhënë 8 asiste gjatë kësaj ndeshje për ekipin e tij në këtë goleadë historike. Ai ka barazuar rekordin që mbahej nga futbollisti brazilian Zhorzhinjo i cili ka dhënë 8 asiste në një ndeshje në kampionatin brazilian në sezonin 2014-2015.

Një arritje për të cilën vetë Kobian kishte mësuar nga trajneri Agostineli dhe të cilën e komentoi duke folur për prestigjiozen “FOX Sports”.

“Trajneri e komentoi pas ndeshjes, por pastaj të gjithë shkuan të bënin dush dhe pushonin. Deri të nesërmen kur ne u stërvitëm, kur trajneri më tha qartësisht që kisha barazuar apo kisha thyer rekordin botëror”, shpjegoi Kobian.

Ëndrra e mesfushorit të Flamurtarit tani është të luajë për përfaqësuesen e vendit të tij, ndonëse është i ndërgjegjshëm që nuk mund të përfundojë në radhët e ekipit duke luajtur te vlonjatët në Kategorinë e Parë. “Është shumë e komplikuar për mua, por duhet të kem besim, duke e ditur që nëse i bëj gjërat mirë këtu, mund të ekzistojë ndonjë opsion që të shkoj të luaj në Meksike dhe të kem një mundësi atje”, theksoi ai.

E.KUKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"