Edhe stoli bën diferencën te Egnatia, rrogozhinasit përballen me “prenë” e preferuar të kampionatit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 1, 2023 | 20:28

Edhe stoli bën diferencën te Egnatia, rrogozhinasit përballen me “prenë” e preferuar të kampionatit

Që të kesh një skuadër kampi one, natyrisht duhet patjetër edhe një stol i fortë, që përballon shumë mirë një sezon të gjatë, ku mund të ketë dëmtime apo pezullime për kartonë. Egnatia është nga ato ekipe që e përmbush këtë kriter, pasi nuk ka thjesht një formacion “tip” që ka bërë diferencën duke kryesuar me meritë Superioren, por mbi të gjitha trajneri Edlir Tetova ka shumë alternativa nga stoli, që mund të quhen si luks për nivelin e kampionatit tonë.

EGNATIA

Shembulli më konkret është mbrojtësi Hysen Memolla, i vetmi rrogozhinas në skuadër, i cili në CV-në e tij ka edhe 6 ndeshje me Kombëtaren shqiptare dhe padyshim eksperiencë në ligat e huaja më shumë se çdo lojtar tjetër në ekip. 31- vjeçari nuk aktivizohet nga Tetova që prej humbjes së fundit që Egnatia ka bërë në kampionat, pikërisht më 1 tetor kundër Teutës në Rrogozhinë.

Nga ai takim dhe deri më tani, janë luajtur 7 javë të tjera, por Memolla ka qenë vetëm në stol dhe nuk është preferuar asnjë minutë qoftë edhe si zëvendësues. Mirëpo, mbrojtësi ka mbajtur një qëndrim profesionist, duke pritur shansin, për më tepër që rivaliteti në skuadër është i madh në rolin e tij, pasi në krahun e majtë Tetova ka preferuar më tepër Mustën dhe Ndrecën. Së fundmi, pas fitores në Laç, mbrojtësi nuk ka qëndruar pasiv në reagimin e tij, edhe pse ishte në stol.

“Jam shumë krenar për këtë skuadër! Kemi bërë një punë të mrekullueshme. Ne jemi të zgjuar dhe të fortë djema! Të gjithë bashkë, vazhdojmë kështu! Festimi ishte për të madhin Rafa”, shkruante Memolla në rrjetet sociale, duke iu referuar edhe të ndjerit Duamena, teksa publikonte një foto të festimit të golit si dedikim për ganezin.

Ndërkohë, vlen të theksohet se nga lojtarët cilësorë dhe me shumë eksperiencë në kampionatin shqiptar, që kanë qëndruar shpesh herë në stolin e rezervave te Egnatia në këtë kampionat janë edhe emra si Emiljano Musta, Edison Ndreca, Stivian Janku, Donald Mëllugja, Bledar Lila, Alesandro Ahmetaj, por pa përjashtuar këtu sulmuesit e huajt, Gutis Paulauskas dhe Vusal Isgandarli. Azeri u fut si zëvendësues në Laç dhe vulosi fitoren, ndërsa të tjerë pjesë e stolit që presin shansin janë edhe të rinjtë si Dobjani, Zhoel, Lemine dhe Celina.

VLLAZNIA, SI SHANS

Egnatia vijon përgatitjet sa i takon sfidës që do të luaj me Vllazninë, këtë të shtunë në orën 13:30 në stadiumin e Rrogozhinës. Skuadra e Tetovës do të jetë e plotë në këtë takim, pasi ka shlyer edhe pezullimin për kartonë mesfushori Donald Mëllugja. Në tri sezonet radhazi që Egnatia është pjesë e elitës, rezulton se shkodranët janë “preja” e preferuar e tyre.

Në shtatë ndeshjet e fundit mes tyre, ku pesë janë të vlefshme për kampionat dhe dy për Kupën e Shqipërinë, kemi në total 5 fitore të Egnatias dhe vetëm dy barazime. Një dominim i jashtëzakonshëm, ndërsa ka pasur edhe rezultate të thella, teksa në kampionatin e kaluar, rrogozhinasit fituan 0-4 në Shkodër.

Këto shifra janë optimiste për ekipin e Tetovës, që të vijojë me fitore ndaj Vllaznisë, në një javë ku mund të përfitojë edhe nga derbi Tirana-Partizani, duke u shkëputur edhe më shumë në krye nga ndjekësi më i afërt. Egnatia luan 24 orë më parë se “demat”, që kanë derbin, prandaj dhe triumfi ndaj shkodranëve mund të marrë një rëndësi të madhe.

ISA HALILI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"