Kampionati jo i titullit Kampion

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 27, 2024 | 23:42

Kampionati jo i titullit Kampion

Nga BESNIK DIZDARI 

Ashtu si ai i vitit të kaluar, ky është Kampionati i dytë në historinë e jetës 95-vjeçare të tij, që i ka hequr gazetarisë të drejtën për të përdorur përcaktimin “synime për titullin Kampion”. Kjo, ngaqë edhe ky është një kampionat ku për të 36 javët e tij nuk luftohet për titullin e Kampionit, por luftohet thjesht për të zënë një nga 4 vendet e para.

tirana-partizani

Dhe kur? Atëherë kur të mbarojnë 36 javët e rregullta të tij, pra. Vetëm atëherë mund të hyjë në fuqi shprehja “synime për titullin Kampion”. Kjo është, natyrisht përveç shumë të tjerave, një nga goditjet më të mëdha që prej këtij kampionati ka pësuar edhe gazetaria sportive shqiptare. Kësisoj shprehja “synime për titullin Kampion” papritmas u zhduk nga proza e editorialit.

Ajo do të vonojë shumë që të rikthehet. Do të jetë “e burgosur” deri andej kah fundi i pranverës dhe do të ketë një jetë shumë të shkurtër. Në të vërtetë ajo do të ketë jetën më të shkurtër në gjithë historinë e saj: do të mbijetojë vetëm 10 ditët e mbas përfundimit të 36 javëve të Kampionatit. Befas po më duket se po imitoj titullin e “Dhjetë ditët që tronditën botën” të librit të famshëm të John Reed për Revolucionin e Tetorit të Rusisë. Nuk shkon. Ai ishte një revolucion i madh, ky i Kampionatit të Shqipërisë nuk është as revolucion, as kryengritje, as kundërshtim, as përparim, por vetëm një pranim stërnënshtrues që do mbyllet me ndeshjet joasnjanëse të qytetit të Tiranës, qytetit të Partizanit e Dinamos të cilët tash për tash janë në katërshe. U dashka mësuar edhe me këto. Unë për vete kurrsesi.

Ndoshta ia vlen të merrem me shumë se cila skuadër do të zbresë nga Kategoria. Dhe kandidatët qenkan nja tre: Bylis i Ballshit, KF Laçi i Laçit dhe Skënderbeu i Korçës. Nuk e di, megjithatë. Ajo që di është se rregullorja, në mos gaboj, na thotë se nga 10 skuadrat do të zbresin pa mëshirë 2, pra 20 për qind e tyre. Një përqindje kjo që mund të mbërrijë deri në 30 për qind, sepse edhe skuadrën që zë vendin e 8-të, po pa pikë mëshirë do ta çojnë në një “play off” rënieje ose shpëtimi. Dhe rënie deri 30 për qind i skuadrave nga kategoria e një kampionati kombëtar të një shteti do të përbëjë një rekord botëror!

E pra, a vërtet duhet të gëzohen aq fort Partizani kryesues me 27 pikë e Vllaznia nënkryesuese me 2 pikë më pak? Pyetje vërtet e çuditshme, edhe kjo. Dikur diferenca e pikëve të çonte te një llogari që hap mbas hapi të ftonte për ta ruajtur diferencën, madje edhe për ta shtuar atë. Kështu, ngaqë si ruajtja, ashtu si shtimi apo thellimi i kësaj diference, mund të të afronin tejet për te titulli Kampion. Ndërsa sot kjo strategji nuk ekziston më.

E, kryesuesit Partizani dhe Vllaznia mund të gëzohen vetëm për këtë: që ndodhen 9 dhe 7 pikë larg skuadrës së Elbasanit që zë vendin 5-të. Vetëm kaq. Kështu ngaqë, edhe po t’i humbin bie fjala, dy ndeshjet e radhës, e Elbasani t’i fitojë të tijat, prapë ata mbesin në katërshe, çka marrin kohë për t’u qetësuar disi. E mandej rrufeshëm për t’iu kthyer fitoreve e për të mbetur në këtë katërshe që më shumë sesa e jona, është e Federatës Shqiptare të Futbollit.

E megjithatë! Megjithatë, analistëve të studiove televizive, shumica e të cilëve janë ose ish-trajnerë ose ish-futbollistë, padashur iu shpëton shpesh shprehja “e ndaluar”: “synime për titullin Kampion”. Harrojnë se kjo nuk ka aspak kuptim. Ndonëse, sikur kanë filluar edhe ata, ta zëvendësojnë këtë shprehje me këtë tjetrën: “lufta për një vend në ‘Final 4’”.

Ndryshe për një vend në katërshen fort të largët të titullit kampion. Kampionati i Shqipërisë ka humbur logjikën historike të ecurisë së tij. Ai ka humbur strategjinë e vërtetë të garës për titullin Kampion. Ka humbur emocionet e forta të humbjes dhe të fitores së javës. Qoftë kjo edhe për ato 4 skuadra që kryesojnë.

Kemi mbërritur deri aty saqë të duket se humbja e radhës nuk prish fort punë. Po ashtu, kemi mbërritur deri aty saqë po aq të duket se edhe fitorja e radhës nuk rregullon fort punë. Vetëm andej mbas javës 30, diçka mund ta ndryshojë këtë gjendje të pakëndshme “shpirtërore” të garës.

Ndonëse edhe kjo mund të mbetet ashtu siç ishte, kjo ngaqë skuadra që zë vendin e pestë mund të ndodhet prapë 9 apo 7 pikë nga kryesuesit, të cilët presupozohet se vështirë që, për shembull, të humbasin katër herë pa ndalë. Ndonëse edhe kjo mund të ndodhë në futboll… Tash po kaloj te ana tjetër e medaljes që ndrit duke na thënë me germa kubitale se TË GJITHË E KANË PRANUAR KËTË “FINAL FOUR”! Kjo mesa duket është “fatkeqësia”.

E ka pranuar deri dhe Vllaznia e Shkodrës, e cila kujton se duke siguruar katërshen do të vijë në javën e kryeqytetit, pra në Tiranë, e do t’ua marrë titullin e Kampionit, Partizanit apo Dinamos vendëse, të cilët mund të mbesin gjithnjë në katërshe. Vllaznia pra, ajo që mbas 36 javëve të Kampionatit që shkoi, zuri vendin e tretë me 9 pikë më tepër se Skënderbeu, por humbi vetëm një ndeshje me te në “Final Four” dhe unë në arkivin tim duhet ta zbres në vendin e katërt! Në të vërtetë në vetë arkivin e Historisë së Kampionateve të Shqipërisë. Kështu pra, të gjithë e kanë pranuar këtë skemë të papranueshme.

E kanë pranuar presidentët e nënshtruar të klubeve. E kanë pranuar trajnerët. E kanë pranuar analistët e komentatorët. Dhe besoj se e merrni me mend se çka do të thotë ky pranim. Ky pranim do të thotë se FSHF-ja ka triumfuar dhe ia ka arritur të mposhtë një histori publike, më saktë, një histori kombëtare, madje, si të thuash, vetë jetën sociale të Kampionatit. Kampionati Kombëtar i Futbollit i Republikës së Shqipërisë po i afrohet gjysmës së rrugës së tij.

Java 14 nuk dhuroi asnjë ndryshim dhe asnjë tronditje. Katërshja mbeti po ajo: Partizani (27), Vllaznia (25), Egnatia (23), Dinamo (21). Treshja e fundit po ajo: Bylis (10), KF Laçi (12), Skënderbeu (13). Ndërkaq i ashtuquajturi “mesi i artë” po ai: AF Elbasani (18), Teuta (17) dhe nuk di a duhet të përfshij në te edhe Sportklub Tiranën (15) e famshme, në ditët më të vështira të saj, qysh mbas zbritjes në Kategorinë e Dytë (se e Dytë është) në vitin 2017.

E, Vllaznia pat ra në vitin 2018, ndërsa Partizani, ky që kryeson sot, pat ra në vitin 2009, pra 15 vjet më parë… Rënie, rënie, kujtesë e rënieve! Historina të trishtueshme këto… E pra, çfarë historinash të reja do të na sjellë ky Kampionat 2024-2025 me “Final Four”-in e tij që paska forcë deri “të burgosë” gazetarinë, terminologjinë e saj më të bukur shprehëse? Dhe nuk po mund të vazhdoj më tej. Asgjë nuk po më nxit për këtë. As stadiumet e boshatisura – deri diku “rroftë” stadiumi i Elbasanit, megjithatë – se ai i Shkodrës së Vllaznisë që zë vendin e dytë, thuajse nuk pati prani.

Mbi të gjitha, me përjashtim të ndonjë goli spektakolar, nuk të tërheq vetë cilësia e zbehtë e Kampionatit. E për çudi, thuajse i braktisur u shfaq deri dhe stadiumi i vogël, ndonëse mjaft komod, i Partizanit kryesues. Tifozëve shqiptarë, nuk iu ka mbetur gjë tjetër veçse të vrapojnë te ekrani i vogël i kampionateve të shteteve të tjera, të kampionateve më të mëdha në Europë: Angli, Gjermani, Spanjë, Itali e Francë…

Po më duket shumë i varfër ky editorial, ndonëse sikur po më bën përjashtim vetëm një “zbulim” befasues i tij: golat e minutës 90. Me golin e Grudës (minuta 90) të Vllaznisë dhe me atë të Ujkës së Egnatias (minuta 99), numri i golave të minutës së fundit arriti në 18. Nuk na mbetet gjë tjetër veçse të presim “golin jubilar” nr. 20 të shënuar në minutën e 90-të. Ky mesa duket mund të jetë rekordi më i madh, me siguri në rang europian, i Kampionatit “të vogël” të Shqipërisë. Një rekord që sa është pozitiv (mosdorëzim as në minutën e fundit), po aq është edhe negativ (gjumë në minutën e fundit).

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"