Editorial nga Besnik Dizdari/ “Dukuria Vllaznia”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 20, 2024 | 11:52

Editorial nga Besnik Dizdari/ “Dukuria Vllaznia”

Nga BESNIK DIZDARI

dfd

Nuk po i them “Fenomeni Vllaznia”, por po i them “Dukuria Vllaznia”. Kështu edhe ngaqë në huazimet e shqipes “fenomeni” gati-gati nënkupton edhe një lloj “mrekullie”. Aq më tepër që këtu nuk kemi të bëjmë me asnjë “mrekulli”, por kemi të bëjmë thjesht me “dukuri” – fjalë e shqipes kjo. Kemi të bëjmë me “Dukurinë Vllaznia”. Që është skuadra e Shkodrës, e cila së bashku me Dinamon mbas 18 javëve – pra mbas gjysmës së rrugës – kryeson Kampionatin e Shqipërisë me pikë të barabarta.

Natyrisht që as ky kryesim nuk është gjithçka. Kësisoj, ngaqë Vllaznia nuk mbahet mend se sa herë e ka kryesuar Kampionatin e Shqipërisë, të cilit i ka fituar plot 10 tituj të Kampionit dhe ka qenë 14 herë Nënkampione e Shqipërisë. Pa harruar assesi që i ka dhënë Kombëtares së Shqipërisë lojtarë të pafund, të një talenti të madh…

Dhe qëndrojmë te “Dukuria Vllaznia”.

Shkojmë te ndeshja më e fundit, ajo Vllaznia–KF Laçi, të cilën skuadra shkodrane e fitoi me vështirësi 2- 1. Madje duke arritur fitoren e 9-të – deri tani më tepër se asnjë skuadër tjetër – ndonëse asaj i munguan plot 6 lojtarë titullarë: Gurishta, Qato, Gruda, Jago, Juriç, Stojanoviç, prej të cilëve 3 janë lojtarë të huaj. Çka më bën të pohoj se më shumë se fitorja e 9-të dhe se kryesimi i Vllaznisë, vlen fakti i përforcimit të “Dukurisë Vllaznia”, që na thotë se edhe pa 6 titullarë, ajo fiton dhe kryeson Kampionatin. Sigurisht pa e ngjitur në qiell lojën e saj, pjesë e modestisë cilësore që ka ky kampionat tejet i varfër i Shqipërisë.

Shkojmë tash te formacioni i ndeshjes me këto 6 mungesa. Dhe po rreshtoj këta 10 emra:

Qarri, Sala, Spahija, Delaj, Pusi, Krymi, Beci, Çoba, Dodaj, Balaj.

Midis të cilëve ka edhe 19 apo 20- vjeçarë. Pa shkuar te të tjerë edhe jashtë këtyre, të cilët nuk i kalojnë 21-22 vjetët. Vijnë nga skuadrat e të rinjve të Shkodrës. Pra, jo të blerë o “të rrëmbyer” prej diku tjetër dhe as të një kombësie tjetër. Them se ky është suksesi më i madh i kryesueses Vllaznia të Kampionatit të Shqipërisë për këtë stinë 2024-2025. Dhe më e rëndësishmja: në këtë shembull qëndron problemi i madh apo i mprehtë që na shpalos Vllaznia e Shkodrës. Çka duke e zbërthyer sado pak, të duket sikur na thërret kështu: “Skuadra të Shqipërisë! Mbështetuni te lojtarët e qyteteve që përfaqësoni, dhe mos vazhdoni duke u sunduar prej pranisë së lojtarëve krejt mesatarë të shteteve të tjera! Jo pak prej të cilëve mezi po ua kuptojmë shtetësinë e tyre deri jashtë kontinentale e joeuropiane të një heterogjeniteti që kurrsesi nuk i shkon temperamentit të futbollit shqiptar, qoftë ky dhe krejt modest. Mos konsumoni financa të panevojshme dhe bëjini vend të madh zhvillimit të futbollit kombëtar, duke u mbështetur te talentet kombëtare që kurrë nuk kanë munguar! Dhe sa dëm që do të bëni nëse do të pranoni një rregullore të stinës së ardhshme që na njoftoka se klubet shqiptare mund të blejnë lojtarë të huaj sa të duan.

E palejueshme!”.

Sigurisht edhe Vllaznia ka lojtarë të huaj (Kahrimanoviç, Jago, Juriç, Stojanoviç). Por me sa u mundova të shoh, janë më të paktë se te asnjë klub tjetër të Kampionatit të Shqipërisë. Kuptohet, nuk mund të jemi kundër ardhjes së lojtarëve të huaj në skuadrat shqiptare. Por jemi që në këtë stad vendnumëro të cilësisë së kampionatit, kurrë të mos kemi më shumë se nja 30 për qind lojtarë të huaj. Ndërsa të tjerët të jenë vendës, edhe këta me shumicë nga lojtarët që dalin prej farishteve të qytetit tënd. Ato që iu thonë gjoja “Akademi’, por që nga mos aktivizimet po shterojnë në prodhimin e tyre futbollistik.

Ky është kuptimi i “Dukurisë Vllaznia” që nuk ka arsye që të kalojë si në harrim pas këtyre radhëve të këtij editoriali. Edhe pse jemi të bindur se as Vllaznia dhe as skuadrat e tjera nuk do të mund të bëjnë ndonjë mrekulli në rrjedhën e Kampionatit të Shqipërisë me shumë probleme…

Ndërkaq, nuk dimë sa e keni studiuar sado pak historinë e kampionateve shqiptare, ndonëse ne jemi munduar për vite të tëra t’ua shpalosim, qoftë edhe këtu në faqet e “Panorama Sport”. Duke respektuar mbi të gjitha radhën e meritave, jo të pseudomeritave për shokë e miq.

Kësisoj, duke ndjekur me vëmendje ecurinë e Kampionatit, po guxoj t’iu them se ju nuk e njihni këtë histori që vetvetiu të çon te ndërtimi i një strategjie për sëmbari të drejtimit të klubeve të futbollit. E për fat, po duket se nuk e njohin as ata që quhen presidentë të klubeve, as ata që janë trajnerë të skuadrave shqiptare e siç po duket pra, as ata që sillen përreth Federatës Shqiptare të Futbollit, përsa kohë nuk bëzajnë, por vetëm nënshtrohen.

Sigurisht nuk arrij deri te një deklaratë e bujshme e futbollistit të Partizanit, Vangjel Zguro, i cili në intervistën e tij këtë javë në “Panorama Sport”, guxoi e tha: “Në futbollin shqiptar 90 % janë servilë dhe 10 për qind janë njerëz të duhur”. Unë për vete nuk mbërrij deri në këtë përqindje. Është e tepërt, por nënshtrimi tashmë ekziston bukur e mirë, megjithatë.

Pat qenë krejt befasuese për futbollin europian vera e vitit 1966. Ndodhi që pas disfatës së bujshme të Kombëtares së Italisë në Botërorin 1966 për shkak të humbjes po të bujshme të saj prej amatorëve të Kombëtares së Koresë së Veriut (goli i famshëm i Pak Do Ik, i cili nuk ishte dentist, siç u tha për të poshtëruar Italinë), Federata Italiane e Futbollit, e kryesuar nga Giuseppe Pasquale, vendosi të ndalojë importin e lojtarëve të shteteve të huaja. Dhe Italia e mbajti këtë embargo për bukur 15 vjet, deri në sezonin 1981. Madje sot e kësaj dite historianët e futbollit italian theksojnë se “edhe për shkak të ndalimit të të huajve, në Serie A u shfaqen skuadra krejtësisht të reja, veçanërisht në QendërJug si Catanzaro, Avellino, Ascoli, Ternana, duke demonstruar një vitalitet të ri të futbollit italian edhe në nivel territorial”.

Ishte kjo embargo e lojtarëve të huaj që shumë shpejt i dha një shtytje të madhe afirmimit të talenteve vendas në futbollin italian.

Kështu, në vitin 1968 Italia fitoi Kampionatin e Europës; në vitin 1970 u bë Nënkampione e Botës; fitoi Kampionatin e Europës “NËN 19”; në vitet 1968 e 1969 me Milanin fitoi Kupën Kupave dhe Kupën e Kampioneve të Europës; në vitin 1973 fitoi po me Milanin Kupën e Kupave të Europës; më 1977 me Juventusin fitoi Kupën e UEFA-s. Dhe duke mbërritur në sezonin 1981-1982 ajo do të fitonte për herë të parë edhe titullin e Kampiones së Europës me kombëtaren e 17-vjeçarëve. Deri para pak vitesh të gjitha këto nuk i kishte fituar kurrsesi.

Dihet ndërkaq, se mbas këtij 15- vjeçari italian të ndalimit të të huajve, ky sport, tashmë, sidomos falë shteteve të futbollit të madh, po shkonte vrullshëm drejt një globalizimi, për fat jo të mirë, sot i komercializuar deri aty sa s’ka ku shkon më. Teksa kritikat e ekspertëve të futbollit sa vijnë e shtohen. Por kjo është një temë tjetër…

Ma do mendja se Shqipërisë së sotme të futbollit i duhet që me këmbë në tokë të qëndrojë te zhvillimi i futbollit modest shqiptar, që jo rrallë edhe kësisoj ka lindur e formuar talente të shumtë deri të nivelit të lartë europian. Shkoni te historia!

Periudha zhgënjyese që po përjeton sot niveli i Kampionatit të Shqipërisë, e shprehur edhe në stadiumet e boshatisur tejet, vjen e vërtetohet edhe në përfaqësimin në Kupat e Europës. Në tre edicionet e fundit skuadrat shqiptare kanë marrë vetëm tri kualifikime! Edhe këto me skuadra thuajse të panjohura në modestinë e skajshme të tyre! Merreni me mend: vetëm 3 kualifikime në plot 20 ture! Dhe vazhdojmë të konsumojmë milionë për lojtarë të huaj krejt mesatarë, apo dhe më poshtë se kaq! Në vend që këto miliona – ndoshta edhe më pak – të shkojnë te talentet shqiptare.

“Dukuria Vllaznia”, doemos e nxitur edhe prej një ndjenje atdhetarie, vërtet është fort e çmueshme.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"